LAJMI I FUNDIT:

PYETA SOT NË TREG

PYETA SOT NË TREG
Sergei Yesenin

Poezi nga: Sergei Yesenin
Përktheu: Maksim Rakipaj

Në treg desha të di sot, nga halli,
Të më thosh dikush e ta paguaj,
Qysh mund t’i them bukuroshes Lali
Në persishten e ëmbël “të dua”?

Në treg desha të di sot, nga halli,
Përunjësisht pyeta, me lutje,
Persisht qysh t’ja them të hirshmes Lali,
Më të ëmblën fjalë, fjalën “puthje”?


Në treg desha të di sot, nga halli,
Thellë në zemër fsheha përsenë,
Persisht qysh t’ja them të hirshmes Lali,
“Je imja Lali”, persisht qysh t’ja them?

Një këmbyes valute m’u përgjigj:
-Fjalë s’ka që dashuri rrëfejnë,
Për dashurinë heq thellë në shpirt,
Sytë ama, si yjet shkëlqejnë.

Për puthjen nuk ka fjalë, miku im,
Si fjalët që mbi gur varri vihen,
Se ka të trëndafilit kundërmim
Dhe petale që në gojë shkrihen.

Dashuria peng s’jep dhe as kërkon,
Me të je prej hallesh ngazëllyer,
“Je imja” vetëm duart mund ta thon’
Që shalle mëndafshi kanë shqyer.