LAJMI I FUNDIT:

“Pushtimi i jashtëtokësorëve” që mashtroi ShBA-në

“Pushtimi i jashtëtokësorëve” që mashtroi ShBA-në
Orson Welles gjatë një konference për shtyp, më 31 tetor 1938, ku gazetarëve u tha se nuk ka besuar se shfaqja “Lufta e botëve” do të shkaktojë panik kombëtar

Nga: Myles Burke / BBC
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Ekziston një incident që me të madhe ka ndikuar në kulturën popullore: aq realist ka qenë transmetimi i dramës radiofonike të Orson Wellesit, për një pushtim marsian të Tokës – transmetim ky që ndodhi 85 vjet më parë [30 tetor 1938] – saqë thuhet se shkaktoi një panik masiv në ShBA. Në të vërtetë, historia e histerisë masive është aq shumë e rrënjosur në folklorin mediatik saqë, në fakt, për dekada të tëra kurrë nuk u sfidua.

Por, në vitet e fundit, historianët – si profesori W Joseph Campbell i Universitetit Amerikan në Uashington DC – kanë argumentuar se paniku i supozuar gjatë gjithë kohës ka qenë i ekzagjeruar dhe se shumica e dëgjuesve e kanë kuptuar se programi ishte një vepër letrare.


Ideja e kombit të zhytur në histeri, në mënyrë aktive u nxit nga gazetat e asaj kohe të cilat ishin të prira që radion ta karakterizonin – në atë kohë një medium në zhvillim dhe konkurrent i gazetave – si të papërgjegjshme dhe si diçka që nuk duhet besuar. Dhe, vetë Orson Wellesi e lustroi mitin përmes ritregimeve të panumërta nëpër emisionet e debateve në vitet që pasuan.

Por, gjersa është e paqartë se deri në çfarë mase u shkaktua paniku, disa fakte mbesin – kryesisht ato se transmetimi e dëshmoi fuqinë dhe potencialin e hershëm të radios.

Në mbrëmjen e 30 tetorit 1938, pak para Hallouinit, Wellesi – në atë kohë regjisori dhe ylli i serisë së dramës radiofonike Teatri Merkuri në transmetim të drejtpërdrejt [Mercury Theatre on the Air] – po bënte provat e minutës së fundit për transmetimin e tij të ri inovativ.

Wellesi ishte vetëm 23 vjeç në atë kohë dhe nga shumë njerëz vlerësohej si gjeni – ky ishte projekti i tij më ambicioz, deri atëherë, një si përditësim i Luftës së botëve [The War of the Worlds], i trilerit të fantashkencës së HG Wellsit të botuar në vitin1898.

Plani i tij ishte ta gjallëronte historinë e Wellsit, duke e vendosur në kohën moderne, duke e krijuar një ndjenjë të urgjencës dhe të frikës. Vendndodhjen e ndryshoi nga Anglia në Nju-Xhersi dhe e rishkroi rrëfimin si një seri të buletineve reale të lajmeve që raportonin për një pushtim të pandalshëm të jashtëtokësorëve nga Marsi, diçka që dukej si në kohë reale, dhe duke i mjegulluar kështu linjat midis realitetit dhe trillimit. “E bëmë këtë me shumë kujdes dhe saktësisht e riprodhuam atë që do të kishte ndodhur. Kemi menduar se kështu do ta bëjmë më efektive. Por, nuk e kishim idenë se sa efektive do të ishte”, tha ai në një episod të vitit 1955, të një serie të BBC-së të quajtur Fletorja e Orson Wellesit [Orson Welles’s Sketch Book].

Rrethanat e ofruan sfondin e përsosur për këtë realizim. Në atë kohë, radioja me shpejtësi i zëvendësonte gazetat si një hapësirë ku shumica e amerikanëve mësonin për ngjarjet e përditshme. Gjithashtu, ishte një ndjenjë e përgjithshme ankthi për një tjetër konflikt në Evropë dhe, teksa u përshpejtuan ngjarjet që botën po e çonin drejt Luftës së Dytë Botërore, audienca amerikane gjithnjë e më shumë po familjarizohej me lajmet kryesore që ndërprisnin programet e planifikuara radiofonike.

Në orën 20:00 sipas kohës lindore, transmetimi filloi me vetë Wellesin duke e prezantuar dramën dhe duke sqaruar se ishte një vepër letrare. Por, dëgjuesit që e dëgjuan më vonë, e humbën sqarimin që dha, ndërsa disa që e dëgjuan nuk e morën parasysh – ose thjesht e harruan gjatë kohës që drama po zhvillohej.

Ajo që pasoi ishte një program i rregullt muzikor, i njohur për dëgjuesit, që ndërpritej nga një seri e buletineve të lajmeve, të simuluara në mënyrën gjithnjë e më të furishme. Aktorët që portretizonin reporterët dhe zyrtarët qeveritarë, pa frymë përshkruanin ardhjen e pushtuesve jashtëtokësor dhe këto përshkrime u kombinuan me efektet rrëqethëse realiste të rrezeve të nxehtësisë vdekjeprurëse të jashtëtokësorëve – si dhe me shkatërrimin e qyteteve të tëra.

Efekti ishte bindës dhe i tmerroi dëgjuesit. Stili dokumentar i dramës dhe dialogu natyralist, bënë që disa ta ngatërrojnë me një transmetim të vërtetë të lajmeve. Gazetat më vonë raportuan se dëgjuesit e shqetësuar, duke besuar se fundi i botës ishte i afërt, u përpoqën të largoheshin nga shtëpitë e veta, ndërsa të tjerët mblodhën armët dhe u përgatitën për t’u mbrojtur kundër jashtëtokësorëve

Linjat telefonike u bllokuan, meqë dëgjuesit e alarmuar përqeshin të thërrisnin policinë dhe gazetat për të marrë informacione ose për të kërkuar siguri. Ky fluks i telefonatave mund të ketë bindur shumë gazetarë se emisioni shkaktoi panik mbarëkombëtar.

Së shpejti, policia u shfaq në studion e CBS-it ku po jepej drama dhe atëherë ka krisur një përleshje mes policëve dhe drejtuesve të radios të cilët me çdo kusht përpiqeshin t’i pengonin që të futeshin brenda dhe ta ndalonin shfaqjen.

Wellesi, i cili ishte në mes të shfaqjes, e kuptoi efektin që kishte shkaktuar “sepse kah gjysma e shfaqjes, teksa vazhdonim me skenarin që kishim përpara, pamë se në dhomën e kontrollit ishin shumë policë dhe se në çdo moment vinin më shumë nga ta. Nuk e kisha idenë se papritmas u shndërrova në një lloj të lajmit kombëtar”.

Menjëherë pasi emisioni u ndalua, Walter Winchelli – i cili ishte në një rrjet rival dhe kishte dëgjuar se si ishin bllokuar të gjitha linjat telefonike – shkoi në programin e tij të komenteve të lajmeve dhe tha: “Z. dhe znj. Amerikë, nuk ka asnjë shkak për alarm. Amerika nuk ka rënë. E përsëris, Amerika nuk ka rënë”.

Menjëherë pas kësaj, Wellesi dhe ekipi i tij u përballën me një reagim të fortë nga mediat dhe nga qeveria. Transmetimi dominoi titujt e gazetave të së nesërmes, me shumë gazetarë që raportonin sipas anekdotave, për të bërë pretendime gjithëpërfshirëse për amerikanët e pushtuar nga paniku. Kjo ndihmoi në forcimin e përshtypjes se shfaqja e Wellesit kishte krijuar histeri.

Kishte kërcënime për padi dhe thirrje për censurë dhe për rregullim të përmbajtjes së radios. CBS-i me nxitim mbajti një konferencë për shtyp, ku Wellesi vazhdimisht mohoi se qëllimi i tij ishte të mashtronte ndokënd. Në fund të fundit, Komisioni Federal i Komunikimeve hetoi incidentin dhe zbuloi se asnjë ligj nuk ishte shkelur, porse rrjetet duhej të pajtoheshin që të jenë më të kujdesshme në planifikimet e tyre të ardhshme.

Skandali edhe më shumë shërbeu për të rritur reputacionin e Wellesi, si një gjeni krijues, që ka mjeshtëri të rrallë prej rrëfyesi. Kjo do ta shtyjë më tej në Hollivud, ku do ta bëjë regjinë dhe do të luajë në filmin Qytetari Kejn [Citizen Kane] të vitit 1941 – shpeshherë i cituar si filmi më i mirë i të gjitha kohërave.

Siç zbulon një klip i Arkivit të BBC-së, kur më pas është pyetur për transmetimin, Wellesi e bëri një pretendim të madh për ndikimin e qëndrueshëm që shfaqja e tij kishte në formësimin e opinionit publik. Tregoi se disa vite më vonë, gjatë një shfaqjeje patriotike që po jepte në radio, u përhap lajmi se Japonia kishte nisur sulmin e befasishëm në bazën amerikane në Përl Harbor.

“Isha në mes të një himni lavdërues për fushat e misrit amerikan ose diçka të tillë”, tregonte ai, “kur befas një zotëri hyri në studion e radios, e ngriti dorën dhe tha: ‘Po e ndërpresim këtë transmetim, për t’jua dhënë një njoftim: Përl Harbori sapo është sulmuar’. Dhe, sigurisht, ky lajm shumë i rëndë dhe i tmerrshëm, kurrë nuk u besua. Për orë të tëra, nga askush në Amerikë, sepse të gjithë thanë: ‘Epo, e bëri përsëri; vërtet, një gjë kjo shumë e keqe; ishte qesharake një herë, por jo për të dytën herë’”.

Në vitet që pasuan, ka pasur shumë debate nëse niveli i panikut që transmetimi vërtet shkaktoi, ka qenë i mbivlerësuar apo se sa njerëz në të vërtetë e dëgjuan transmetimin – në krahasim me leximin e raporteve të gazetave për të. Por, pavarësisht kësaj, mbetet një ngjarje e madhe në historinë e transmetimit dhe dëshmi për fuqinë që ka mënyra e rrëfimit në kaptimin e imagjinatës së audiencës. /Telegrafi/

“Lufta e botëve”, fuqia e mediave dhe marsi 2004 në Kosovë: Projektimi i së vërtetës
Lexo po ashtu “Lufta e botëve”, fuqia e mediave dhe marsi 2004 në Kosovë: Projektimi i së vërtetës

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori