Pushteti buron nga populli, por ku shkon?
Shumëkush mundet të pyesë me të drejtë sot: Si ka mundësi që me gjithë fuqinë e madhe të denoncimit, të nxjerrjes së fakteve në publik për keqqeverisje dhe korrupsion, ne sërish vazhdojmë të mbetemi kaq të pafuqishëm për ndryshim politik? Nuk është një pyetje që i përket vetëm shoqërisë shqiptare, por një pyetje që ka nevojë të domosdoshme që shoqëria shqiptare t’i përgjigjet.
Nuk është një pyetje që ka të bëjë vetëm me faktet për qeverinë, e as vetëm me opozitën, por me të gjithë shoqërinë që duket se ka humbur besimin se të zgjedhurve, në pushtet apo edhe në forume partiake, duhet t’i kërkohet dhënie llogarie dhe mbajtje përgjegjësie. Lidhur me këtë rrezik që vjen prej mosbesimit e theksonte kohë më parë gjatë një vizite në Tiranë, ish-kreu i Bundestagut gjerman, Norbert Lammert, i cili theksoi në fjalën e tij se “demokracitë ekzistojnë për sa kohë që ata që mendojnë në mënyrë demokratike ngrihen në këmbë për ruajtjen e vlerave të këtij sistemi. Sapo ata nuk e bëjnë më këtë, apo nëse ata bien pre e besimit të gabuar se demokracia është e vetëkuptueshme, atëherë rendi demokratik rrezikon të shpërbëhet”.
Pra, sipas politikanit gjerman, nëse ajo pjesë e shoqërisë që ka shërbyer gjithnjë udhërrëfyese për pjesën tjetër - siç janë akademikët, artistët dhe opinionistët e rëndësishëm të mediave - nuk arrijnë më të prodhojnë një mendim mbi lirinë, apo ndalojnë së mbështeturi publikisht për të drejtën dhe të vërtetën, atëherë pushteti do të tentojë ta zërë këtë frekuencë me simbolika që prodhojnë një urrejtje ndaj traditës, ndaj të pasurve të ndershëm, ndaj të diturve dhe atyre që guxojnë te liria.
Por, a besojmë ne të forca e ndryshimit?
Sociologu gjerman Niklas Luhman, në librin e tij “Teoritë e shoqërisë” thotë se “besimi është akt themelor i jetës sociale dhe akti më i rëndësishëm për ndryshim politik”. Dhe ne, sot, e kemi të qartë se kemi faktet, por kemi humbur besimin se mund të ndryshojmë gjendjen aktuale. Ne kemi faktet, por kemi humbur fuqinë tonë morale përballë së keqes. Sepse ne publikojmë qëndrime në rrjete sociale, por nuk bëhemi bashkë në një protestë kundër së keqes, kundër mashtrimit, kundër atyre që vijnë si të fortë për të na rrëmbyer votën e më pas tallen për kohën që janë në pushtet, duke u munduar të justifikojnë gjithçka që nuk shkon sipas asaj që kanë premtuar.
Sa nga ne janë të gatshëm të dënojnë sot shpifjen dhe gjuhën e urrejtjes që është bërë kaq normale në politikë? Sa nga ne refuzojnë politikanët e vetëkënaqur që mund të vënë në vështirësi kundërshtarin apo ta bullizojnë atë përmes sajimit të fakteve, të gënjeshtrave, linçimit dhe jo argumentimit? Sa nga gazetarët solidarizohen me kolegët e mediave të tjera kur atyre u bëhet presion nga pushteti? Sepse, nëse ne nuk arrijmë të ndëshkojmë ata që na gënjejnë, që na mashtrojnë, që përhapin dhunë, që ushqejnë urrejtjen, që bullizojnë, atëherë përse duhet të presim ndryshimin politik, ndryshimin e komunikimit shoqëror që mund t’i kërkojë llogari të zgjedhurve?
Ne sot jemi përballë faktit që kemi shumë dijeni për politikat e mbrapshta që ndodhin rreth nesh, por se këto fakte nuk i përkthejmë në qëndrime morale, në reagime për të drejtën, sepse kemi humbur besimin. Mendimi që ndërtojnë shpesh politikanët se “populli e di më mirë” është një tallje e trashë ndaj publikut, që shpesh, nën cinizmin e thellë, duartrokitet nga ata që mbështesin këtë politikë, edhe pse mosdija për gjithçka u faturohet duartrokitësve.
A e garanton shumica demokracinë?
Politologët bien dakord se shumica nuk nënkupton domosdoshmërish edhe të vërtetën, por më tepër nënkupton interesat. Dhe nën trysninë e interesave, të papërfaqësuarit mund të mbeten sërish të tillë, edhe pse fituesit vijnë në pushtet me parullat “në emër të besimit kombëtar” apo “për një politikë që përfaqëson vetëm popullin”. Një qasje të tillë prej vitesh e bën edhe kryeministri Rama, që është shprehur prej kohësh “përtej të majtës e të djathtës”, ndërkohë që kjo “përtej” duket se i përket vetëm një grushti njerëzish që shpërfillin jo vetëm të djathtën por edhe vetë mbështetësit e kryeministrit.
Kjo sjellje e shpërfilljes së institucioneve, e shpërfilljes së fakteve, e shpërfilljes së kundërshtarëve, duke besuar se “ke besimin kombëtar” për ta bërë një gjë të tillë, se të është dhënë vota, e ka gërryer substancën e funksionimit demokratik dhe ka shkatërruar ndarjen e pushteteve, të cilat tashmë ekzistojnë më së shumti në letër. Madje, nëse nuk do ishte qëndresa e ndërkombëtarëve, edhe SPAK prej kohësh do kishte përfunduar si i pavlerë, ashtu siç edhe rrezikon ende të bëhet “në emër të mbështetjes popullore për kryeministrin”.
“Gjithë pushteti buron nga populli. Por, ku shkon?”, pyeste në mënyrë ironike shumë vite më parë poeti dhe dramaturgu Bertolt Breht, duke vënë gishtin në pasojat e flirtimit demagogjik të populistëve mbi turmat. Si fillim Brehti parashikoi populizmin kulturor, që bazohet te spektakli, çka dërgon më pas në periferi të shoqërive mendimtarët e vërtetë, akademikë e opinionbërës. Me mënjanimin nga shoqëria, e sidomos me korruptimin moral të asaj pjese që është konsideruar gjithmonë si “Të urtët”, rrugët për një transparencë të pushtetit politik duken gjithnjë e më të pamundura, ndërsa tallja bëhet arti i vetëm i komunikimit. Kushdo që kërkon të ndjeje sadopak pushtetin e talljes, mjafton të ndjekë intervistat e kryeministrit, apo fjalimet e tij “me popullin”, ku kushdo që pyet realisht për funksionimin e demokracisë merret për budalla dhe linçohet me shpejtësi marramendëse. / Gazeta “Panorama”/






























