Punëtorja postoi një video rrëqethëse, ndërsa ishte e bllokuar brenda fabrikës së qirinjve në Kentucky - që ishte goditur nga tornado

Një punëtore në një fabrikë qirinjsh në Kentucky, e goditur nga një tornado, postoi një video rrëqethëse në Facebook, ndërsa ishte e bllokuar brenda ndërtesës.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, në videon disa minutëshe, të filmuar pothuajse në errësirë të plotë, Kyanna Lou lutet për ndihmë dhe thotë se ajo dhe kolegët e tjerë ishin "mbërthyer" pas një muri pasi tornado goditi fabrikën e produkteve të konsumit Mayfield dhe shkaktoi shembjen e çatisë.
“Jam shumë e frikësuar, po përpiqem të jem e qetë, por kam shumë frikë”, thotë Lou në video, përcjell Telegrafi.
"Nuk e di kush po shikon. Na goditi një stuhi. Unë jam në punë në Mayfield dhe jemi bllokuar".
"Ju lutemi, na jepni pak ndihmë. Jemi në fabrikën e qirinjve në Mayfield. Ju lutem, ju lutem", tha ajo.
Ndërkohë, disa njerëz mund të dëgjohen duke qarë në sfond.
Ndërsa në një video tjetër të postuar dy orë më vonë, shihet Lou e përlotur duke thënë para kamerës se ajo ishte shpëtuar.
Ndryshe, guvernatori i Kentuckyt, Andy Beshear tha se kishte frikë për më shumë se 50 punëtorët në fabrikën e qirinjve Mayfield Consumer Products.
"Kam frikë se ka më shumë se 50 të vdekur", citohet të ketë thënë ai në një konferencë për shtyp të premten vonë. “Po vjen konfirmimi nga çdo individ. Do të jetë afër 70 dhe 100. Është shkatërruese”.
Ai konfirmoi se mbi 100 njerëz ishin në ndërtesë kur goditi tornado.
Beshear tha se tornado të shumta kanë prekur në Kentucky-n dhe kanë shkaktuar dëme në mbi 100 qarqe, duke shtuar se ishte "ngjarja më e rëndë e tornados në historinë e Kentuckyt". /Telegrafi/









































