Rrugët e qytetit francez Rennes janë pushtuar nga protestuesit që kundërshtojnë ndryshimet e planifikuara në Ligjin e Punës me të cilin planifikohet shtimi i orëve të punës dhe shkurtimi i pagave. Përndryshe, trazira për këto ndryshime kanë nisur nga fundi i marsit të këtij viti.

Në trazirat e fundit, protestuesit i vunë zjarrin një makine, sulmuan bankën, hodhën gjësende në ndërtesën komunale, ndërsa shkruan parulla në muret e saj. Policia u përpoq për të shpërndarë turmën me gaz lotsjellës, transmeton Telegrafi.


Ndryshimet në këtë ligj lejojnë punëdhënësit të imponojnë orarin e punës për punonjësit, ndërsa për punën shtesë do të mund të paguajnë me kompensime shumë të vogla.

Sindikatat franceze janë shumë të pakënaqura me këtë, për çka protestat fillimisht paqësore po bëhen gjithnjë e më të dhunshme. Për shembull, muajin e kaluar në Rennes, gjatë protestave u plagosën më shumë se 20 persona. /Telegrafi/