Punëtorët e RTK-së nisën grevën për vonesën e pagave

Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë nisur një grevë njëorëshe, si pasojë e mosalokimit të buxhetit të transmetuesit publik, që ka bërë që pagat e tyre të mbeten të papaguara tash e 17 ditë.
Gëzim Bimbashi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së, ka kërkuar nga qeveria të gjejë një zgjidhje ligjore, duke theksuar se situata është emergjente.

Ai paralajmëroi se nga e hëna e ardhshme do të nisë një grevë më e gjerë me masa të rënda, duke shtuar se do të shqyrtohet edhe aspekti ligjor dhe se punëtorët do të njoftohen me kohë gjatë javës.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, shprehu mbështetjen e sindikatës ndaj punëtorëve të RTK-së.
“Është e papranueshme që për disa javë punëtorët e RTK-së nuk kanë marrë paga,” tha ai.

Juristja e medias, Flutura Kusari, komentoi se kjo situatë është pasojë e presionit politik dhe vendimeve të politizuara, duke shtuar se tani po ushtrohet presion financiar për të “gjunjëzuar” punëtorët.
Ndërkaq, nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala, deklaroi se SBASHK-u solidarizohet me punëtorët e RTK-së në kërkesën e tyre për pagat e papaguara. /Telegrafi/






















































