Punëtorët e Flotacionit të Trepçës do të vazhdojnë punën deri këtë të premte, por nëse menaxhmenti i ndërmarrjes publike nuk ua paguan pagat deri atëherë, ata do të hyjnë në grevë.

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të Trepçës, Ibrahim Jonuzi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se kjo është një lloj “marrëveshje” mes menaxhmentit dhe punëtorëve.


“Patëm një takim me tre përfaqësues të menaxhmentit dhe u dakorduam që deri të premten të vazhdojmë punën, nëse nuk realizohet paga deri atëherë mbetet përgjegjësi e menaxhmentit për dështim”, ka thënë Jonuzi.

Jonuzi është shprehur se punëtorët janë të indinjuar për ndarjen e çështjes së pagave sepse sipas tij, edhe punëtorët njësoj si minatorët janë pjesë e minierës dhe ndërmarrjes publike.

“Pagat për të cilat po diskutohet nuk kanë dalë që nga dita e festës së Kurban Bajramit”, ka thënë tutje ai.

Në përfundim, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minitorëve të Trepçës ka potencuar faktin se nëse ka ndonjë ndryshim deri të premten mbetet të shihet se çfarë do të vendosin tutje. /Telegrafi/