Publikohet video e momentit kur Southgate kërkoi nga Sancho, Rashford dhe Saka të godasin penalltitë ndaj Italisë
Tashmë është publikuar në rrjetet sociale momenti kur trajneri i Anglisë, Gareth Southgate i zgjodhi lojtarët për të goditur penalltinë ndaj Italisë në finalen e Euro 2020.
Anglia u mposht nga Italia në finalen e Euro 2020 me anë të penalltive, pasi loja e rregullt dhe vazhdimet u mbyllen me rezultat 1-1.
Golat në këtë ndeshje u shënuan nga Luke Shaw për Tre Luanët dhe Leonardo Bonucci për Azurrët.
Në anën tjetër, penalltitë u humbën nga Marcus Rashford, Jadon Sancho dhe Bukayo Saka për anglezët, ndërsa për italianët i humbën Andrea Belotti dhe Jorginho.
Pas humbjes së penalltive dhe finales së Euro 2020, tre lojtarët e rinj Rashford, Sancho dhe Saka u përballen me shumë kërcënime dhe fyerje racore nga tifozët anglezë.
Sot (e premte), gati një javë pas finales, është publikuar një video nga momenti kur trajneri Southgate u kërkoi tre futbollistëve të marrin përgjegjësinë për t’i goditur penalltitë.
Tek të tre lojtarët vërehet një guxim i madh dhe aspak frikë në sytë e tyre, por që mosha e tyre e re bëri që ata të dështojnë në momentet më vendimtare. /Telegrafi/





























