Kush shpenzoi më shumë e kush më pak? Publikohen shpenzimet tremujore të partive politike në Kuvend

Me qëllim të zbatimit të Ligjit nr. 08/L-122 për Financim të Subjekteve Politike, në ueb faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) janë publikuar raportet e shpenzimeve të tremujorit (korrik – shtator 2025) të subjekteve politike të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se sipas këtij ligji, subjektet politike i dorëzojnë këto raporte në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP) dhe të njëjtat publikohen në ueb faqen e KQZ-së dhe të subjekteve politike.
Ndërkaq bazuar në publikimin e shpenzimeve bëhet e ditur se Partia Demokratike e Kosovës (PDK), për muajt korrik, gusht, shtator ka shpenzuar mbi 220 mijë euro, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë shpenzuar mbi 663 mijë euro.


Nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) për tre muaj kanë shpenzuar mbi 188 mijë euro, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë shpenzuar mbi 40 mijë euro dhe Nisma Socialdemokrate për tre muaj ka shpenzuar mbi 30 mijë euro.



“Raportet tre mujore, që përfshijnë periudhën korrik – shtator 2025, janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për Subjekte Politike > Raportet Financiare Tremujore, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/raportet-financiare-tremujore/ “, thuhet në njoftim. /Telegrafi/



















































