Sulmuesi, i cili i bëri pritë eskortës së Floyd Mayweatherit në Atlanta, ka gjuajtur së paku 12 plumba - tetë prej të cilëve e kanë goditur veturën që i bartte truprojat e boksierit.Siç kemi raportuar më herët, njëri prej truprojave të Mayweather mbeti i plagosur pas sulmit mbi kolonën e veturave që udhëtonte drejt një hoteli në Atlanta.


floyd1 (Foto: TMZ Sports)

Departamenti i policisë në Atlanta kishte raportuar se në njërën prej tri veturave ndodhej edhe boksieri i famshëm, mirëpo ai nuk ishte në automjetin ku ka ndodhur sulmi dhe nuk ka marrë lëndime.

I plagosur mbeti truproja Gregory La Rosa, i cili mori plagë në këmbë dhe ishte dërguar në spital, ku është trajtuar dhe ishte lëshuar të shërohej në shtëpi.

Në ndërkohë, TMZ Sports i ka siguruar fotografitë e automjetit, mbi të cilin ka ndodhur sulmi.

Po ashtu, është mësuar se aty ndodheshin edhe gjashtë persona të tjerë, por fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ka pësuar ndonjë lëndim.

floyd2 (Foto: TMZ Sports)

Në gjithë automjetin vërehen vrimat nga plumbat, ndërsa sipas raportit policor, në vendin e ngjarjes janë gjetur 12 gëzhoja, por vetëm tetë nga plumbat e kanë goditur automjetin.

Deri më tani policia nuk ka bërë asnjë arrestim për këtë rast dhe nuk ka njoftuar nëse kanë ndonjë të dyshuar. /Telegrafi/