Pse u urrye kaq shumë "mbretëresha më kontroverse në histori"

Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
"Gjithë sytë do të drejtohen te ti”, paralajmëroi Maria Tereza [Maria Theresia], Perandoresha e Austrisë, në prill të vitit 1770, teksa vajza e saj, arkidukesha 14-vjeçare Maria Antonia, po përgatitej të martohej me mbretin e ardhshëm të Francës, Luixhi XVI [Louis], në Pallatin e Versajës. Megjithatë, survejimi që duroi Marie Antoaneta [Antoinette], siç njihej më vonë arkidukesha, ishte shumë më mizor nga sa pritej. Ajo u përfol si libertine, konspiratore dhe shpërdoruese e pamatur, jeta e kushtueshme e së cilës po e çonte vendin drejt falimentimit - akuza këto që do të nxisnin Revolucionin Francez dhe do të shkaktonin një spektakël të rrallë dhe tronditës: ekzekutimin publik të një mbretëreshe.

Mahnitja jonë me Maria Antoanetën nuk është zbehur kurrë, por gjithnjë e më shumë historia e saj po vihet në pikëpyetje. A e meritonte ajo të përbuzej, apo ishte një martire e bllokuar mes interesave të kundërt dhe e shkatërruar nga gënjeshtrat? Për Dr. Sarah Grant - kuratore e ekspozitës Marie Antoinette Style, që hapet në V&A më 20 shtator - ajo është “mbretëresha më me stil, më e analizuar dhe më e diskutueshme në histori”. Duke shënuar 270-vjetorin e lindjes së kësaj figure që theu shabllonet, por të denigruar, ekspozita shënon ndjesinë e saj për stilin dhe analizon disa nga mitet që lidhen me të.
Një nga këto mite është deklarata apokrifike “le të hanë tortë”, një përgjigje fëmijërore ndaj mungesës së tmerrshme të bukës. E cilësuar si një “princeshë e madhe” në Rrëfimet e Rousseausë, shkruar në vitin 1765 kur Maria Antoaneta ishte 10 vjeçe dhe ende në Austri, ajo deklaratë nuk mund të ketë ardhur prej saj. Lajme të tjera të rreme shfaqen në formën e “çështjes së gjerdanit me diamant” (1785-6), në të cilën një gjerdan me më shumë se 600 diamante u porosit në mënyrë të rreme në emër të mbretëreshës, duke përforcuar reputacionin e saj për shpenzime - pavarësisht pafajësisë së saj në gjyq. Një kopje, së bashku me gjerdanin Sutherland, që thuhet se përmban gurë nga origjinali, përfshihet në ekspozitë.
Objekte të tjera flasin për trashëgiminë e saj si krijuese shijesh: mobilie luksoze nga Rilindja Franceze (1800-1890), për shembull, që imitonin elemente të stilit të saj, dhe këpucë rozë me dantella nga filmi fitues i çmimit Oscar, Maria Antoaneta (2006) i Sofia Coppolas, të dizajnuara nga Manolo Blahnik i cili pranon në parathënien e katalogut se mbetet “i magjepsur nga gjithçka që ka të bëjë me të”.

Jeta luksoze e mbretëreshës së re ishte padyshim kripë mbi plagët e të uriturve. E lidhur me një bashkëshort mendjelehtë dhe disi të mërzitshëm, i cili ishte më i interesuar për gjuetinë sesa për të - dhe i cili për shtatë vjet nuk ishte në gjendje shëndetësore të konsumonte martesën - ajo gjente shpërqendrim në festa ekstravagante, lojëra fati dhe modë. Fustanet e saj të zbukuruara në mënyrë kreative me struktura të mëdha të koshave, të kurorëzuara me flokë të ngritura lartë, u kopjuan gjerësisht në atë kohë dhe më vonë frymëzuan yje të muzikës pop si Madonna dhe Rihanna, si dhe stilistët e modës si Vivienne Westwood, Dior dhe Moschino.
Megjithatë, nofka “Zonja deficit” ishte e pajustifikuar. Edhe pse ajo shpenzonte më pak se vëllezërit e mbretit, dhe ishte vetëm një nga një seri monarkësh francezë të shfrenuar, mbretëresha e huaj u bë kurban për mënyrën se si qeveria franceze i shpenzonte fondet. “Janë shpenzimet për luftërat ato që në të vërtetë e çuan Francën në falimentim, sigurisht jo paratë që shpenzoi Maria Antoaneta”, thotë Grant për BBC. “Buxheti i saj për gardërobën sot është ekuivalenti i rreth një milion dollarëve, por Franca shpenzoi 11.25 miliardë dollarë vetëm për Luftën Amerikane të Pavarësisë”.

Edhe kur ajo uli shpenzimet, krijoi armiq të rinj. “Kur ajo ndaloi së veshuri mëndafshe, industria e mëndafshit ishte e shqetësuar sepse jetesa e tyre u vu në rrezik”, thotë Grant. Dhe, kur në vitin 1783 ajo u përpoq të përcillte një imazh tjetër me një portret të saj në veshje më të thjeshtë “fshatare”, që do ta bënte të njohur më vonë, ai u zëvendësua shpejt me diçka më të zbukuruar dhe formale. “Nga ajo pritej të krijonte një spektakël mbretëror”, vazhdon Grant. “Kjo është mënyra se si monarkia e ruajti autoritetin e saj”.
Folklori që rrethon këtë yll të hershëm të epokës moderne gjithashtu anashkalon bamirësinë e saj. Ajo riciklonte gardërobën çdo vit, duke e ndarë me stafin e saj; dhe, adoptoi disa fëmijë, përfshirë Jean Amilcarin, me origjinë nga Senegali, të cilin ajo e liroi nga skllavëria. Ajo gjithashtu “refuzoi ofertat për dhurata të shtrenjta nga bashkëshorti i saj” dhe “dha bujarisht për bamirësi”, thotë për BBC autorja Melanie Burrows, e cila ka shkruar gjerësisht për atë periudhë. Larg së qeni “budallaqja mendjelehtë siç shpesh paraqitet”, argumenton Burrows, ajo ishte “me qëllime të mira, bujare dhe me zemër të mirë”.

E paraqitur në oborrin francez si një ofertë paqeje pas viteve të armiqësisë me Austrinë, Maria Antoaneta kishte besnikëri të ndara të cilat e zhytën në dyshime - jo të gjitha të pabazuara - se ajo ndante sekrete ushtarake me Austrinë. Ajo konsiderohej e pandjeshme ndaj popullit francez, dhe referencat fyese ndaj saj si “L’Autri-chienne” (një lojë fjalësh në frëngjisht që nënkupton njëkohësisht austriake dhe bushtër) përfaqësojnë mosbesimin që ushqeu ndjenjën publike.
Ndryshe nga mbreti, mbretëresha nuk kishte pushtet zyrtar dhe nga ajo pritej të qëndronte në prapaskenë. Maria Antoaneta u konsiderua si tepër e dukshme, tepër e gjallë dhe tepër e gatshme për të përdorur hijeshinë e saj për të ndërhyrë në çështjet politike, duke lobuar fshehurazi te ministrat dhe duke kundërshtuar reformat kushtetuese që vendi i kërkonte me ngulm. Për armiqtë e saj, ajo duhej rrëzuar. Fletushkat shpifëse qarkullonin, disa pornografike duke e akuzuar për shthurje seksuale (konti Axel von Fersen ishte, në fakt, i vetmi dashnor i njohur i saj), orgji, marrëdhënie lezbike dhe madje edhe incest.
Thashethemet ishin “të gjitha të shtyra nga mizogjinia”, argumenton Grant, duke shtuar se “shumë nga mitet që vazhduan ... lindën në shekullin XIX kur biografitë e saj u shkruan nga meshkujt”. Sipas Burrowsit, mbretëresha ishte në të vërtetë mjaft e turpshme. Ajo rrallë pinte, thotë ajo, angazhohej vetëm në “flirte shumë të lehta” dhe “urrente të shihej lakuriq, madje edhe nga shërbyeset e saj”. Megjithatë, këta stereotipa vazhdojnë. Në librin Bota e Maria Antonetës: Intrigë, tradhti dhe kurvëri në Versajë (2020), Will Bashor spekulon se gjakderdhja e vazhdueshme nga mitra ishte shkaktuar nga një sëmundje seksualisht e transmetueshme. Por, ai argumenton gjithashtu se ajo ishte “e dhunuar emocionalisht”, “e mërzitur” dhe “e neglizhuar”, dhe ndonëse e sheh si fajtore për kërkimin e kënaqësisë jashtë martesës, ai të paktën përfundon duke thënë se ajo është “e falur”.

Në realitet, “ajo ishte një nënë e përkushtuar”, thotë për BBC, Dr. Laura O’Brien, profesoreshë e historisë moderne evropiane në Universitetin Northumbria në Mbretërinë e Bashkuar, duke iu referuar “lidhjes më të butë dhe më emocionale” që mbretëresha kishte me fëmijët e saj - për dallim me mënyrën se si ishte rritur vetë. Ajo ishte mbretëresha e parë franceze që ushqeu fëmijët me gji dhe që u vesh - siç shihet në portretin e refuzuar - në një mënyrë të përshtatshme për mëmësinë dhe jetën në vendpushimin e saj rural.
Fascinimi i vazhdueshëm me mbretëreshën më të urryer të Evropës lidhet gjithashtu me tragjedinë e historisë së saj: një nuse fëmijë, nga një dinasti mbretërore, e detyruar të futej në një situatë të pamundur, dhe në fund e reduktuar në një figurë tragjike me një këmishë të bardhë, flokët e shkurtuar, duke u transportuar me karrocë drejt vdekjes së saj. Për revolucionarët, ajo u bë simbol i gjithçkaje që Franca duhej të ndryshonte, ndërsa ekzekutimi i saj në vitin 1793 synonte të pastronte vendin nga e keqja më e madhe e Regjimit të Vjetër (Ancien Régime).
Pavarësisht nëse vdekja e Maria Antoanetas ishte apo jo e justifikuar, ajo nuk arriti të shuante ndikimin e saj. U shfaq një trend për prerje të shkurta flokësh, “si iriq”, dhe gjerdanë të kuq gjaku që sugjeronin prerjen e gijotinës. Ajo u urrye nga ata që besonin historitë që e rrethonin atë, por gjithashtu u admirua gjerësisht - dhe vazhdimisht. “Për mua, kjo ekspozitë është një tjetër ëndërr e realizuar”, komentoi Blahnik në një intervistë të fundit. “Rehabilitimi i Maria Antoanetës”. /Telegrafi/


















































