Pse turma e Intifadës hesht për Sudanin?

Për dy dekada, Darfuri ka qenë kriza të cilën progresistët zgjodhën të mos e shohin.
Nga: Lara Brown / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Në 18 muajt e fundit, qyteti i el-Fashirit në Darfur ka përjetuar një rrethim brutal. Mbi dyqind mijë civilë janë të bllokuar, janë shkëputur nga furnizimet bazike, teksa Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF) kanë marrë kontrollin nga ushtria.
Qindra civilë të paarmatosur janë vrarë në sulmet që kanë motiv etnik. Disa janë marrë peng për shpërblime marramendëse. Disa po ndiqen nga milicia e armatosur.
Studiuesit nga Jejli [Yale] besojnë se niveli i dhunës është i krahasueshëm me atë të ditës së parë të gjenocidit në Ruandë. Është e pamundur të vlerësohet numri i viktimave. Fotografitë satelitore të el-Fashirit shfaqin rërë të përgjakur dhe grumbuj automjetesh të djegura. Zëvendëssekretarja e përgjithshme e OKB-së për Afrikën, Martha Pobee, thotë se “askush nuk është i sigurt”.
Mund të jemi dëshmitarë të një gjenocidi të vërtetë. Në vitin 2023, kur el-Fashiri ishte i rrethuar, vlerësohet se 15 mijë njerëz u vranë dhe u zhvendosën.
Lexo po ashtu: Ukraina, Gaza dhe ngritja e gjeopolitikës së identitetit
Atëherë ku janë protestat? Kur ec nëpër Sheshin e Parlamentit [Whitehall], nuk ka pothuajse asgjë për Sudanin. Trotuaret jashtë Kryeministrisë [Nr. 10] janë ende të mbushura me aktivistë palestinezë dhe studentë me kefije.
Aktivistët kanë kaluar dy vjet duke marshuar çdo të shtunë në rrugë për të protestuar për një gjenocid të pretenduar në Gazë. Dhe, megjithatë, lufta civile ka qenë duke u zhvilluar në Sudan prej dekadash dhe kjo duket se askujt nuk i intereson. Disa organizata të ndihmës besojnë se kjo është kriza më e rëndë humanitare në botë.
Atëherë pse askujt nuk i intereson Sudani? Vëmendja të cilën aktivistët ia kushtojnë konflikteve të caktuara, nuk ka aspak të bëjë me ashpërsinë - përndryshe BBC do të raportonte për Sudanin çdo ditë. Atëherë si vendosin të majtët se cilat luftëra i meritojnë marshet javore?
E vërteta është se konfliktet e huaja gjithmonë janë ndier si të largëta. Katastrofat ndodhin nëpër botë për çdo ditë. Shumica janë shumë të ndërlikuara, me faj nga të dyja palët. Prandaj, aktivistët perëndimorë kanë zgjedhur vetëm disa tragjedi ku ta përqendrojnë vëmendjen e tyre.
Konfliktet “në modë” kanë disa gjëra të përbashkëta. Së pari, duhet të jenë të qarta (ose, të paktën, përkrahësit duhet të besojnë se janë të qarta). Në rastin e Gazës, Izraeli është etiketuar si fajtori dhe palestinezët si viktima.
Në Sudan, është e vështirë për progresistët të zgjedhin njërën anë. Ushtria Sudaneze dhe Forcat e Mbështetjes së Shpejtë kanë të dyja faj për dëmtimin e civilëve. Asnjëra palë nuk mund të etiketohet si kolonizatore, dhe gjithë ngjarja është zhytur në një kompleksitet shumë të ndërlikuar për t’u kuptuar nga një politikan mesatar studentor përmes një infografike në Instagram.
Progresistët gjithashtu pëlqejnë t’i kthejnë luftërat e huaja në beteja tërthore për politikën britanike. Lufta Izrael-Gazë u shërben këtyre synimeve në mënyrë të përkryer. Hebrenjtë në Izrael shihen nga shumica e së majtës si një grup i privilegjuar. Palestinezët përshkruhen si pakica e persekutuar etnike. Supozimet “në modë” për racizmin në Mbretërinë e Bashkuar përputhen në mënyrë të përkryer me këtë çështje.
Gjithashtu, ka rreth katër milionë myslimanë në Mbretërinë e Bashkuar dhe shumë prej tyre e kanë interpretuar luftën në Gazë si sulm ndaj fesë së tyre. Këta faktorë i kanë mbajtur aktivistët në rrugë, javë pas jave, pavarësisht zhvillimeve pozitive - siç është armëpushimi i fundit në rajon.
Lufta civile në Sudan nuk i ka këto dimensione. Nuk është një etni kundër një tjetre, apo një grup i privilegjuar kundër një pakice. Një nga grupet më të shënjestruara, në mënyrë të vazhdueshme, ka qenë popullsia e vogël e krishterë sudaneze të cilët kanë vuajtur sulme të vazhdueshme ndaj kishave të tyre, konfiskim pronash dhe persekutim të liderëve kryesorë fetarë. Por, ndonëse një në shtatë të krishterë në botë jeton në situata me të paktën një nivel të “lartë” persekutimi, protestuesit vendas refuzojnë ta identifikojnë këtë grup si të denjë për mbështetje.
Për dy dekada, Darfuri ka qenë kriza të cilën progresistët zgjodhën të mos e shohin. Heshtja e aktivistëve përballë realiteteve të ndërlikuara të saj nxjerr në pah një të vërtetë më të afërt: trazirat që kemi parë në Britani këto dy vjetët e fundit nuk kishin të bënin kurrë me politikën e jashtme. Disa luftëra bëhen “modë”. Ato që nuk i përshtaten sloganeve të thjeshta apo pikëpamjeve të së majtës, braktisen në heshtje që të digjen në errësirë. /Telegrafi/

















































