Rrëfenjë anonime e kohës tonë
Përktheu: Bajram Karabolli

Dy rrobaqepës, për vite të tëra punojnë pranë njëri-tjetrit. Presin e qepin rroba, pa u lodhur, ndërkohë që, herë pas here, edhe bisedojnë me njëri-tjetrin, për gjëra të ndryshme.


Një ditë, rrobaqepësi i parë i thotë tjetrit:

- A do të shkosh për pushime, këtë vit?

- Jo, - i përgjigjet tjetri, pasi mendohet një çast.

Pastaj, heshtin dhe i kthehen punës. Pak më vonë, rrobaqepësi i dytë, papritur, thotë:

- Para njëzet vjetësh, kam qenë me pushime.

- Ke njëzet vjet që ke qenë me pushime? - e pyet i pari, tejet i habitur.

- Po, - përgjigjet qetësisht, i dyti.

Atëherë, rrobaqepësi i parë i cili nuk mbante mend që shoku i tij të kishte munguar në punë, i tha:

- Ku shkove me pushime?

- Në Indi.

- Në Indi?!

- Po. Shkova për të gjuajtur tigrin e Bengalit.

- Ti, shkove për të gjuajtur tigrin e famshëm të Bengalit?!

Që të dy e lanë punën dhe po shikonin njëri-tjetrin. Rrobaqepësi i dytë, që dukej shumë i qetë, e mori përsëri fjalën dhe tregoi si më poshtë:

- Një ditë, mbi një elefant madhështor, të cilin ma kishte dhënë hua një princ i vendit, u nisa për gjah. I armatosur me katër pushkë me qyta prej argjendi dhe i shoqëruar nga një shpurë vendasish që u binin tamtameve, iu ngjita të vetmit mal që kishte gjithë provinca. Nuk kisha bërë shumë rrugë, kur, befas, na del përpara një tigër shumë i madh. Ishte tigri i famshëm i Bengalit. Megjithatë, kurrë nuk kisha parë tigër aq të madh dhe aq të frikshëm në gjithë zonën e Bengalit. Tigri, në shenjë kërcënimi, ngriti krifën dhe nisi të hungërinte aq fort sa më kalli datën. Elefanti, i tmerruar, u tërhoq mbrapsht me forcë dhe unë rashë plasur mbi disa shkurre plot gjemba të gjatë e therës. Atëherë, tigri m’u hodh sipër, më shqeu e më hëngri.

- Të hëngri?! - tha rrobaqepësi i parë, që po e dëgjonte, dhe shqeu sytë.

- Po, më hëngri. Më gëlltiti të gjithin ... Deri te copa më e fundit.

- Ore, çfarë po më thua ...? Si të paska ngrënë tigri, kur ti ja ku je, i gjallë dhe plot jetë!

Atëherë, rrobaqepësi i dytë merr gjilpërën me fill dhe, duke vazhduar punën, gjithmonë i qetë, i thotë të parit:

- Pse jetë e quan ti këtë?