LAJMI I FUNDIT:

Proteston Prizreni: Rasti i Xhenetës mund të përsëritet, nëse nuk merren masa ndaj përgjegjësve

Proteston Prizreni: Rasti i Xhenetës mund të përsëritet, nëse nuk merren masa ndaj përgjegjësve

Nën organizimin e shoqërisë civile të Prizrenit, sot në qendrën e këtij qyteti është organizuar protestë, në të cilën është kërkuar dorëheqja e kryetarit të Komunës, Ramadan Muja.

Gjithashtu është kërkuar edhe dorëheqja edhe e ministrit të Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani dhe ministrit të Kulturës, Kujtim Shala.


Këto dorëheqje janë kërkuar pasi që organizatorët e protestës i quajnë përgjegjës për vdekjen e 3 vjeçares, Xheneta Gashi, të vdekur ditë më parë pas shembjes së një shtëpie në Prizren.

Protestës së sotme të shoqërisë civile në Prizren, në të cilën morën pjesë disa qindra qytetarë, përveç prizrenasve, i janë bashkuar edhe qytetarë nga komunat tjera të Kosovës.

Shqipërim Lubishtani, qytetar nga Ferizaj, ka thënë për Telegrafin se ai ka shkuar sot në Prizren që të protestojë, për shkak se e ka prekur shumë rasti i mënyrës se si e ka humbur jetën Xheneta Gashi.

Ai mendon se personat përgjegjës për shembjen e shtëpisë në Qendrën Historike të Prizrenit, duhet të marrin përgjegjësi penale – duhet të dorëhiqen.

“Besoj që mosveprimi i tyre është vepër penale. Kjo çka ka ndodhur mund të përsëritet nëse nuk merren masat ndaj personave përgjegjës. Besoj se kësaj radhe presioni dhe mobilizimi i qytetarëve, do ta arrij qëllimin e tij”.

Pjesë e protestës së mbajtur sot në Prizren ka qenë edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Mutaher Haskuka, i cili ka theksuar se vdekja e Xhenetës, ka qenë pika kulmore e pakënaqësisë së qytetarëve të Prizrenit, të cilët sipas tij, janë shumë të pakënaqur me drejtuesit komunal.

Ai ka thënë se neglizhimi për ta rregulluar Qendrën Kulturore në Prizren, rezultojë sipas tij, në vdekjen e Xhenetës.

“Përkundër që është moti i nxehtë dhe jemi në muajin e Ramazanit, shumë qytetarë i janë bashkuar protestës, gjë e cila tregon se pakënaqësia në mesin e qytetarëve është rritur. Madje nëse inicohet një peticion për ta kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Prizrenit, jam i bindur se pjesa dërrmuese e qytetarëve të Prizrenit do ta nënshkruanin atë”, ka theksuar Haskuka.

E Nita Krajku, qytetare e Prizrenit, ka thënë se e ka irrituar shumë mënyra se si ka vdekur 3 vjeçarja Xheneta Gashi.

Ajo ka theksuar se është shumë e pakënaqur në përgjithësi me udhëheqjen komunale, duke shtuar se rasti i Xhenetës e ka tronditur tërë qytetin.

“Disa po thonë dhe po arsyetohen se shtëpia ka qenë e uzurpume. Edhe çfarë ka kjo rëndësi kur është në pyetje jeta e njeriut. Prapë se prapë institucionet komunale janë fajtore pse nuk e kanë trajtuar rastin si duhet. Unë dua ta përshëndes vendimin e nënës së Xhenetës, e cila nuk ka pranuar ndihmën e komunës. Besoj se, pas organizimit të qytetarëve, kësaj familje do t’i dilet në ndihmë dhe nuk do të ballafaqohet me këso problem”, ka shtuar Krajku.

Ndryshe, para disa ditëve në Qendrën Historike të Prizrenit, është shembur një shtëpi, ku për pasoja ka humbur jetën 3 vjeçarja Xheneta Gashi, familja e të cilës ishte vendosur në këtë shtëpi. /Telegrafi/