LAJMI I FUNDIT:

Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut, hedhin vezë para zyrave të korporatës në kryeqytet

Protestojnë punëtorët e sigurimit fizik të KEK-ut, hedhin vezë para zyrave të korporatës në kryeqytet
Foto: Arkiv

Punëtorët e sigurimit fizik në Korporatën Energjetike të Koosvës (KEK) kanë protestuar para objektit të kësaj kompanie dhe të Qeverisë së Kosovës. Ata kanë kërkuar kthimin si punëtorë të KEK-ut dhe jo të tenderohen vazhdimisht siç thanë jashtëligjshëm në sektorin privat. Si shenjë pakënaqësie ata hodhën edhe vezë para zyrave të KEK-ut në kryeqytet.

Përfaqësuesi i punëtorëve të sigurimit fizik në KEK, Nexhat Murati tha se ata janë një departament që i takon KEK-ut, andaj nuk duhet të tenderohen në sektorin privat, pasi po e pasurojnë vetëm oligarkët.


“Unë nuk po e kuptoj as këtë qeveri, s’po e kuptoj se kur thoshte se neve po na bëhet padrejtësi dhe dilte përmes medieve dhe bisedonin dhe jepnin deklarata shumë të mira dhe ndihmëse. Por tash çka është bërë, andaj ne kërkojmë një takim urgjent me kryeministrin e vendit ku do t’ia shpjegojmë gjërat në detaje edhe pse ne besojmë se ai është i informuar shumë mirë, pasi kem më së paku 30 e-maile zyrtare që i kemi dërguar. Oligarkët duhet të pasurohen në krah tonin dhe disa persona në KEK. Prokurimi, zyra ligjore, menaxhmenti i KEK-ut dhe bordi nuk janë askund”, tha Murati.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se sigurimi fizik në KEK padrejtësisht po tenderohet në sektorin privat. Ai kërkoi nga Qeveria që të realizojë atë që ka premtuar sa ka qenë në opozitë.

“Ky departament padrejtësisht është tenderuar deri më tani. Në kohën kur kjo qeveri ishte në opozitë kanë thënë se me të drejt janë tenderuar paligjshëm dhe ju e keni vendin në KEK. Kemi diskutuar shumë herë kur është paraparë që KEK-u si aset me rëndësi të veçantë të ketë sigurimin e vet dhe jo të jetë me sigurime private”, tha Llumnica.

Protestuesit në duar mbanin pankarta me mbishkrimet “Qeveri më parë kur ishit në opozitë na thatë se kemi të drejtë, po sot!”, “Tenderi pasuron vetëm një pronar, ndërsa ne jemi një shoqëri e cila i takon KEK-ut”.

Prej vitit 2004 punëtorët e sigurimit fizik në KEK tenderohen në sektorin privat. /KP/