Qendra Klinik dhe Universitare e Kosovës (QKUK), në lidhje me sigurimin fizik të objekteve dhe protestën e sotme të punëtorëve ka sqaruar se më 22 maj 2025 ka pranuar një vendim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik, përmes së cilit obligohet që të shkëpusë kontratën e negociuar, lidhur para më shumë se dy muaj për sigurimin fizik të objekteve.

Në njoftim thuhet se ashtu siç ka obliguar OSHP, QKUK më datën 21 qershor 2025, ka shkëputur kontratën për sigurim fizik të objekteve.


“Sa i përket çështjes së  punëtorëve, secila kompani që zgjidhet, apo kontraktohet nga QKUK, për sigurim fizik, e ka obligim të marrë në punë punëtorët aktual, asnjëri nga ta nuk do të mbetet pa punë. Lënda është në Gjykatën Komerciale, por edhe pse kanë kaluar disa javë, nuk ka ndonjë vendim lidhur me të”, thuhet tutje.

Sipas njoftimit, QKUK, ka ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të lidhur një  kontratë të re.

“Krahas kësaj, menaxhmenti i QKUK-së, ka zhvilluar takime me Policinë e Kosovës, që në kuadër të kontratës për punë dytësore, të bëjë sigurimin në 10 deri në 12 pikat kryesore, deri në zgjidhjen e kontratës së re të negociuar për sigurim fizik”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, siç njofton KP, Kryetari i Shoqatës Sindikale në QKUK, Hakif Sylejmani tha se katër ditë më parë janë njoftuar për shkëputje të kontratave të punës.

Ai tha se nga drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës morën garanci se këta punëtorë do të jenë të përfshirë në kontratën e re.

“Ne kemi marr para katër ditëve prej OSHP-së për shkëputje të kontratës. Të gjithë punëtorët i kam pasur të rrezikuar nëpër pika. Pa uniformë nuk mund të qëndrojmë në punë, por edhe pa kontratë nuk mund të rrimë në punë, kemi bërë këtë takim me drejtorin e QKUK-së të na garanton punëtorët që janë pa uniforma se nga një kompani e ardhshme se çka do të ndodh me këta punëtorë dhe ka ofroi një garanci që me këta punëtorë edhe në të ardhmen do të jenë në punë”, është shprehur Sylejmani.