Protesta e OVL e UÇK-së në Strasburg, Krasniqi: Ftoj qytetarët, miqtë dhe mërgatën të bashkohen në këtë thirrje për drejtësi
Memli Krasniqi i PDK-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen e të protestojnë për krerët e UÇK në Strasburg.
Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se aty ku nisi procesi që rëndoi padrejtësisht mbi emrin dhe sakrificën e UÇK-së aty do të ngrihet zëri i shqiptarëve për drejtësi.
“Të dielën, të gjitha rrugët çojnë në Strasburg. Aty ku nisi procesi që ka rënduar padrejtësisht mbi emrin dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, aty do të ngrihet zëri i shqiptarëve për drejtësi dhe dinjitet. Më 16 nëntor, protestat paqësore për të vërtetën dhe respektimin e historisë sonë vazhdojnë, me qytetari, me qetësi dhe me besim në drejtësinë që meriton populli ynë”, ka shkruar ai.
Ai ftoi të gjithë qytetarët, miqtë e Kosovës dhe mërgatën kudo që është, të bashkohen në këtë thirrje të përbashkët për drejtësi dhe për lirinë e çlirimtarëve tanë. /Telegrafi/






























