Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare dhe Peticione ka miratuar mes dy leximeve Projektligjin për Buxhetin për vitin 2026.

Për projektligjin votuan gjashtë deputetë të mazhorancës, ndërsa kundër ishin katër deputetë nga opozita.


Debat në komision ngriti propozimi i deputetes së PDK-së, Sala Jashari, që pensionet e disa kategorive, përfshirë veteranët, të barazohen me pagën minimale.

“Pensionet e veteranëve, të pleqërisë dhe të personave me aftësi të kufizuara, të verbër, janë të larguara nga paga minimale e Kosovës. Ne dimë se paga minimale është rritur deri në 425 euro, ndërsa këta ende e kanë një pension prej 170-180 euro. Sa është e mundshme që ne së bashku si komision ta krijojmë një amendament përmes së cilës ne kërkojmë rritje... Nëse mundemi me pas një bashkëpunim në lidhje me këtë, kemi kohë deri nesër në orën 12:00 nëse dëshirojmë të dërgojmë një amendament si komision”, tha ajo.

Përkrahje këtij amendamenti i dha deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.

“Është shkelje e të drejtave të njeriut. Nëse ato kategori të respektuara dhe të nevojshme që i përmendi deputetja dhe kjo e ka të gatshëm amendamentin, ne mundemi me diskutu si komision dhe me i dhënë përkrahje si komision ose jo. Kjo nuk duhet të na kufizojë, pasi esenca kryesore e këtij komisioni janë të drejtat e njeriut”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, tha se krahas këtij amendamenti duhet të përfshihet edhe amendamenti për personat me autizëm.

“Nuk po shoh diçka që duhet me votu këtë buxhet pasi neve na vyjnë edhe amendamente me përgatit, përveç deputetes Jashari që e tha dhe plotësisht pajtohem. Po ashtu dua edhe një amendament tjetër me përgatit për personat me autizëm”, tha ajo.

Mirëpo, deputeti i LVV-së, Sali Zyba, tha se afatet e përshpejtuara për buxhetin për vitin 2026 i detyrojnë për miratim të tij, pa diskutime shtesë.

Sipas tij, posa të vijë buxheti për rishikim do t’i marrin parasysh amendamentet në lidhje me çështjen e pensioneve të veteranëve.

“Afatet e përshpejtuara me shumicë votash në Kuvend neve na detyrojnë me shqyrtu dhe me i dhënë aprovim ose jo këtij buxheti. Diskutimet e tjera, tashmë edhe temat e djeshme që kanë të bëjnë me ligje të ndryshme, shprehi gatishmëri me i mbikëqyrë dhe shiku ligjet dhe me i gjetë ngecjet si komision. Mirëpo sot me propozime jashtë rendit të ditës mundemi me ndryshu diçka, por buxhetin ju kisha lut që propozimet eventuale kanë pasur afatin deri këtu. Janë afate të përshpejtuara”, tha ai.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Artan Behrami, kërkoi nga komisioni të shqyrtojë mundësinë e një vizite në Hagë te ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen nga Gjykata Speciale.

“Të organizohet një vizitë e Komisionit për të Drejtat e Njeriut sa më parë dhe urgjent te Dhomat e Specializuara në Hagë. Edhe në të kaluarën është vendosur një praktikë ku komisioni ka vizituar edhe krerët e UÇK-së, por ka diskutuar edhe me përfaqësues të kësaj gjykate. Është jetike që ky komision edhe njëherë t’i adresojë të gjitha shqetësimet e krerëve të UÇK-së që kanë të bëjnë dhe ndërlidhen me të drejtat e njeriut. Po ashtu propozoj që në këtë komision të thirren edhe ata që kanë kaluar këtë proces për të marrë edhe përshtypjet e tyre sa i përket mosrespektimit të të drejtave të njeriut në këtë gjykatë. Të krijohet këtu edhe një raport i komisionit që do t’u ndahet edhe organizatave ndërkombëtare që merren me të drejta të njeriut”, tha ai.

Ky propozim u përkrah edhe nga anëtarët e tjerë të këtij komisioni. /kp/