Mosmarrëveshje në “Snapchat”, i shkon në shtëpi dhe e godet me shufër metalike – aktakuzë ndaj të dyshuarit në Istog

Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit B.M., për veprën penale “Vrasje e mbetur në tentativë”, në bazë të nenit 172 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 5 shkurt 2025, rreth orës 20:00, në fshatin Stupe të Istogut, pas një konflikti të nisur përmes rrjetit social “Snapchat”, i pandehuri ka shkuar në oborrin e të dëmtuarit, ku fillimisht e ka ftuar në telefon dhe i ka rënë borisë së automjetit për ta nxjerrë jashtë.
Në momentin kur viktima i është afruar automjetit, B.M. dyshohet se i ka hedhur sprej në fytyrë dhe më pas e ka goditur disa herë me një shufër metalike në kokë dhe dorë, duke i shkaktuar dëmtime serioze trupore.
Pas sulmit, i pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ku lëndimet janë konstatuar si të rënda dhe të rrezikshme për jetën.
Prokurori i çështjes ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me dispozitat ligjore për veprën penale që i vihet në barrë./Telegrafi/














































