LAJMI I FUNDIT:

Prokurorët ndërpresin bashkëpunimin me Qeverinë: Nuk u distancua nga deklaratat e Sallahut

Prokurorët ndërpresin bashkëpunimin me Qeverinë: Nuk u distancua nga deklaratat e Sallahut

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka ndërprerë bashkëpunimin me Qeverinë pasi këta të fundit nuk u distancuan nga deklarata e zëvendësministrit Blerim Sallahu.

Sallahu, përmes një postimi në ‘Facebook’, kishte thënë se edhe prokurorët janë të involvuar në veprime kriminale.

“Përkundër bashkëpunimit të deritashëm reciprok në procese të ndryshme me Ministrinë e Drejtësisë, siç janë: rishikimi funksional, procesi i vetingut në sistemin e drejtësisë dhe shprehjes së vullnetit të mirë të sistemit prokurorial për ta forcuar bashkëpunimin në avancim të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, deklaratat e fundit, të bëra nga Zëvendësministri i Drejtësisë, i cili i ka quajtur prokurorët të involvuar në veprimtari kriminale, e bëjnë të pamundur bashkëpunimin ndërinstitucional”, thuhet në njoftimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Përfaqësuesit e Këshillit Prokurorial, Prokurorit të Shtetit dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës, kanë lëshuar sot një takim që kanë pasur me Ministrinë e Drejtësisë.

“Është e pakuptimtë që ne të flasim në suaza të respektit, kolegjialitetit dhe mirëbesimit me dikë që i quan prokurorët të involvuar ne veprimtari kriminale”, thuhet tutje në reagim.

KPK ka lënë megjithatë një derë të hapur për bashkëpunim por sipas tyre kjo do të bëhet “duke e ruajtur ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë institucionale”.

“Sistemi Prokurorial i Kosovës mbetet i përkushtuar dhe i hapur për të bashkëpunuar me të gjithë pa përjashtim, brenda parimeve profesionale, gjithmonë duke e ruajtur ndarjen e pushteteve dhe pavarësinë institucionale dhe në ketë drejtim është thelbësore të ndërtohet besimi i ndërsjellë, të kultivohet një qasje konstruktive, pa paragjykime dhe e bazuar në objektivitet”, thuhet në fund të reagimit të lëshuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës./Telegrafi/