LAJMI I FUNDIT:

Projektligji për paga radhit mësuesit pas njerëzve me shkollë të mesme

Projektligji për paga radhit mësuesit pas njerëzve me shkollë të mesme

Profesioni i mësimdhënësit është nënçmuar dhe degraduar nga Projektligji për Paga i Qeverisë së Kosovës. Kështu kanë deklaruar sot përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), në një mbledhje të jashtëzakonshme.

Kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, tha se me këtë projektligj mësimdhënësit janë lënë para punëtorëve teknik, kopshtarëve dhe pastruesve.

“Ekspertët e SBASHK-ut, e kanë analizuar ligjin në tërësi veçmas shtojcën tabelare, ku ky projektligj dhe veçmas shtojca e tabelarit, e degradon, e nënçmon shumë profesionin e mësimdhënësit dhe gradat e tij akademike shkencore, duke filluar nga universiteti e deri te çerdhet. Një analizë që kemi bërë duke përfshirë te 45 gradimet dhe duke i përfshirë edhe koeficientet kemi parë se koeficienti mesatar duhet të ishte 4.2. Fatkeqësisht, mësimdhënësit e Kosovës nuk janë tek kjo mesatare e koeficientit, por koeficienti për ta shihet të jetë 1.75, që është më pak se gjysma mesatare e koeficientit 4.2”, tha Jashari.


Në anën tjetër, menaxheri i Financave në SBASHK, Imer Imeri tha se arsimtarët janë radhitur në mesin e fundit sa iu përket pagave.

Sipas tij, një mësimdhënës i shkollës fillore është radhitur pas një infermiere të kualifikuar vetëm me shkollë të mesme. “Arsimtarët janë radhit në rangun e fundit, mbas punëtorëve që janë vetëm punëtorët teknik, ndihmës, kuzhinier, kopshtar. Një mësimdhënës i shkollës fillore është radhitur mbas infermieres, që është me shkollë të mesme. Infermieria e lartë e ka koeficientin 1.95, ndërsa arsimtari në shkollën fillore e ka 1.75. Ndërsa, arsimtari në shkollën e mesme e ka koeficientin 1.9, infermieria e lartë e ka 1.95. Një nxënës i shkollës së mjekësisë, e kryen shkollën e mjekësisë, hyn në punë edhe e ka rrogën më të madhe se arsimtari i vet”, tha Imeri.

Në anën tjetër, kryesinidikalisti Jashari tha se mësimdhënëset degradohet me këtë vlerë të koeficientit.

“Mësimdhënësi i Kosovës nuk guxon të gradohet më pak se koeficienti 2.6 dhe 2.5, në të kundërtën do të jetë degradim. Sepse pas këtij koeficienti që e ka për momentin, mbesin vetëm disa profesione që duhet vetëm arsimi fillor apo arsimi i mesëm”, tha Jasharaj. /Telegrafi/