LAJMI I FUNDIT:

Profilet e ministrave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje

Profilet e ministrave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje

Në Kuvendin e Kosovës sot është votuar me shumicë të deputetëve, Qeveria Kurti e cila do të udhëhiqet nga Albin Kurti si kryeministër, dhe LDK si pjesë e kësaj qeverisje.

Në marrëveshjen LVV-LDK e cila u nënshkrua gjatë ditës së djeshme, të dy këto subjekte do të udhëheqin me nga 6 ministri.

Kryetari i LVV-së tashmë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka propozuar gjashtë emrat e ministrave të rinj dhe zëvendëskryeministrit.


Kurti ka propozuar Haki Abazin për zëvendëskryeministër të dytë të Qeverisë, për ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Galuk Konjufca, për ministre të Drejtësisë ka propozuar Albulena Haxhiun, për ministër të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, për ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe për ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia, dhe për ministër të Integrimeve Evropiane, Blerim Reka, shkruan Telegrafi.

Më poshtë mund të shihni profilet e ministrave nga ana e LVV-së:

Haki Abazi – zëvendëskryeministër i dytë i Qeverisë

Haki Abazi-LVV

Haki Abazi është lindur në 9 dhjetor të vitit 1974 në Prishtinë. Ai ka diplomuar në drejtimin Inxhinieri, Shkenca Kompjuterike dhe Menaxhim Biznesi në Universitetin e Prishtinës, dhe George Mason në SHBA. Hakiu është bartës i shumë pozitave në institucione ndërkombëtare. Ka 20 vite përvojë pune në pozita të larta menaxheriale në organizata të ndryshme ndërkombëtare nëpër shumë vende të botës dhe mbi 1 mijë projekte të realizuara. Tani është duke bërë studime në fushën e Energjisë dhe Zhvillimit të Qëndrueshëm në Universitetin e Cumbrias në Britaninë e Madhe.

Ai ka publikuar me dhjetëra shkrime, analiza në media dhe gazeta profesionale, artikuj akademikë dhe ka zhvilluar ide unike në fushën e përkrahjes së zhvillimit të demokracisë, ndërtimit të paqes dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Momentalisht mban pozitën e Drejtorit të Programit në Programin Zhvillimor në Pakistan të financuar nga USAID.

Glauk Konjufca– Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës

Glauk Konjufca-LVV

Glauk Konjufca është lindur në korrik të vitit 1981, në Prishtinë. Ka përfunduar studimet e Filozofisë në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës.

Është aktivizuar në Lëvizjen VETËVENDOSJE! që në fillimet e saj. Është studiues i filozofisë dhe ndërmjet shumë shkrimeve në këtë fushë, ka botuar librin “Huti i minervës fluturon në muzg G.Ë.F. Hegel”. Në vitin 2010 u zgjodh deputet i Lëvizjes VETËVENDOSJE! në legjislaturën e IV-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2011-2014 ishte nënkryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në vitin 2014 u zgjodh sërish deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në të njëjtin vit u zgjodh nënkryetar i kuvendit deri me 12 mars 2015. Në korrik të vitit 2014 ai u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Në legjislaturën e V-të ishte zv. Kryetar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri në Kuvendin e Kosovës. Në legjislaturën e fundit ai u zgjodh kryetar i Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, dhe ishte anëtar i Komisionit për Zhvillim Ekonomik dhe Komisionit për Punë të Jashtme.

Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë

Albulena Haxhiu-LVV

Albulena Haxhiu është lindur në Prishtinë më 11 maj 1987, ku edhe jeton. Studimet i ka përfunduar në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Juridik. Ajo është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje në shtatorin e vitit 2010. Albulena Haxhiu ka qenë deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës tri mandate radhas. Në legjislaturën e V dhe VI, ajo ka drejtuar Komisionin për Legjislacion si një ndër komisionet më të rëndësishëm të Kuvendit. Haxhiu është anëtare e kryesisë së LVV-së.

Besnik Bislimi – Ministër i Financave dhe Transfereve

Besnik Bislimi-LVV

Besnik Bislimi është nga Bukoviku i Gjilanit. Ka studiuar për analiza makroekonomike në Universitetin e Zagrebit në periudhën 1990-1994. Ka doktoruar në Universitetin e Freibergut të Gjermanisë në sferën e Makroekonomisë me specializim në politikat fiskale dhe tranzicionin drejt ekonomisë së tregut. Në Andreë Young School of Policy Studies të Georgia State University në Atlantë, SHBA përmes Programit të Bursave Fulbright ka ndjekur hulumtimet e post-doktoratës në sferën e decentralizimit fiskal për vendet në zhvillim.

Që nga viti 2004 punon në Universitetin Amerikan në Kosovë. Po ashtu mban pozitën e udhëheqësit të njësisë për ekonomiks në Universitetin Amerikan dhe atë të Drejtorit Menaxhues të Qendrës për Hulumtime brenda këtij universiteti.

Bislimi aktualisht mbanë pozitën e nënkryetarit në LVV.

Rozeta Hajdari – Ministre e Ekonomisë dhe Tregtisë

Rozeta Hajdari-LVV

Rozeta Hajdari nga Peja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e ministres së Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, ka përvojë profesionale 17 vjeçare në zbatimin e projekteve, planifikimin dhe koordinimin e politikave, monitorimin dhe vlerësimin në nivel ndërkombëtar, me fokus në arsim dhe administratë publike.

Hajdari ka vijuar mësimet në shkollën e mesme, gjimnazi “Bedri Pejani”, në Pejë, ndërsa ka vazhduar studimet e larta në Universitetin e Prishtinës, në fakultetin e Ekonomisë.

Po ashtu ka studiuar në “Linnaeus University”, në Suedi, ndërsa tashmë jeton në Prishtinë. Rozeta Hajdari është koordinatore për arsimin e lartë dhe qeverisje në Agjencinë Austriake të Zhvillimit. Ajo kishte bashkëpunuar për disa vjet me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë si eksperte ndërkombëtare e arsimit në lidhje me hartimin, zbatimin dhe monitorimin e strategjisë në sektorin e arsimit. Hajdari ka udhëhequr Qendrën e Koordinimit të Donatorëve (DCC) në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës gjatë periudhës shtator 2006, deri në korrik të vitit 2008.

Arben Vitia – Ministër i Shëndetësisë dhe Sportit

Arben Vitia-LVV

Arben Vitia është i lindur më 24 dhjetor 1973, në Prishtinë. Ai diplomoi në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, drejtimi Mjekësi e Përgjithshme. Gjatë vitit 2003-2004 ka punuar si mjek në Mitrovicë. Ka punuar si Këshilltar profesional në kompaninë “Agani” dhe në kompaninë “Keis”. Që nga viti 2010, ai është aktivist në Lëvizjen VETËVENDOSJE! ku është angazhuar dhe ka drejtuar Komitetin për Shëndetësi. Në vitet 2013-2018 ka qenë Drejtor në Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, e cilësuar si një nga drejtoritë me të suksesshme gjatë dy mandateve. Ka ndjekur trajnime dhe programe të shumta për shëndetin publik dhe menaxhimin në shëndetësi duke përfshirë programin IVLP “Public Health Issues in the US” në ShBA. Në vitin 2018 është emëruar si Koordinator i Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe po në atë vit është zgjedhur si Kryetar i kësaj Qendre ku vazhdon të jetë akoma. Arbeni është anëtar i kryesisë së LVV-së.

Blerim Reka – Ministër i Integrimeve Evropiane 

Blerim Reka-LVV

Ai është lindur në vitin 1960 në Shkup. Reka ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës. Blerim Reka ishte ambasador i Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian në Bruksel. Gjithashtu ka mbajtur pozita këshillimore diplomatike dhe ligjore si Këshilltari i Presidentit të Republikës së Kosovës për Integrimin në BE.Reka ka qenë profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe të Drejtës së BE në Universitetin e Evropës Juglindore që nga viti 2002. Dr. Reka mban një doktoraturë në të Drejtën Ndërkombëtare Publike dhe Ligjin Civil dhe Ekonomik. Reka është autor i 18 librave. Blerim Reka ishte kandidat për zgjedhjet presidenciale në vitin 2019 dhe u rendit në vendin e tretë. /Telegrafi/