Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka kritikuar deklaratat e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lidhur me numrin e bizneseve të reja të regjistruara në Kosovë gjatë këtij viti.

Murati ka deklaruar se deri në fund të tetorit janë regjistruar mbi 11 mijë ndërmarrje të reja, ndërsa shifra mund të tejkalojë 13 mijë deri në fund të vitit. Por, sipas profesorit Misini, ky indikator nuk përfaqëson gjendjen e vërtetë të ekonomisë.


Në emisionin FIVE në TV Dukagjini, Misini u shpreh kritik ndaj ministrit:

“Këtu flet publikisht ministri i Financave, që është mediokër në ekonomi. Nuk ka lidhje me ekonomi. Nuk paraqet shëndet ekonomik hapja e bizneseve të reja.”

Ai theksoi se Qeveria Kurti nuk ka performuar mirë në rritjen e punësimit:

“Nëse e qet hapjen e bizneseve të reja, le ta paraqet pasqyrën e punësimit nga viti 2020 deri në 2025. Qeverisja e tij rritjen e punësimit e ka vetëm 1 për qind.”

Misini shtoi se shumë biznese të reja hapen vetëm për të përfituar subvencione nga shteti, shpesh duke punësuar anëtarë të familjes:

“Hapen për shkak të kërkesave, sidomos për subvencionim. Është shumë lehtë të hapet një biznes, por shumë vështirë të mbyllet. Ky le të tregon se në këto 11 mijë biznese, sa është numri i të punësuarve.”

Ai e përshkroi prezantimin e Muratit si pjesë të fushatës zgjedhore, duke theksuar se hapja e biznesit nuk është tregues i mjaftueshëm për të vlerësuar shëndetin ekonomik të vendit.

Në fund, profesori kërkoi që Qeveria të publikojë të dhënat reale mbi punësimin dhe performancën ekonomike gjatë mandatit të saj.