Retkoceri: Zarfa me kërcënime për përmbarim po u dërgohen qytetarëve në mënyrë të paligjshme nga Komuna e Prishtinës

Për më shumë se pesë muajsh, po vazhdon konflikti ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Ndërmarrjes “Pastrimi” lidhur me pagesat për shërbimet e mbeturinave. Kjo situatë ka krijuar paqartësi dhe shqetësim te qytetarët, të cilët nuk e kanë të qartë se ku duhet t’i paguajnë faturat.
Për këtë situatë ka reaguar edhe asamblisti i PDK-së në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, transmeton Telegrafi.
Ai ka shkruar se zarfa me kërcënime për përmbarim po u dërgohen qytetarëve në mënyrë të paligjshme nga Komuna dhe DSHP, në kundërshtim të plotë me Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, që qartëson se pagesa duhet të bëhet nga ndërmarrja “Pastrimi”.
"Përmes kësaj skeme të kundërligjshme Rama e Brestovci po u kërkojnë qytetarëve para që s’iu takojnë, për të shpërblyer kompanitë me të cilat kanë bërë pazare. Qytetarët rrezikohen të paguajnë faturat e një mashtrimi, qasje kjo që po e vendos qytetarin në një pozitë të padrejtë", deklaroi ai.
Tutje, ai shtoi se "Komuna të respektojë Rregulloren në fuqi, të sqarojë menjëherë qytetarët me transparencë dhe përgjegjësi, dhe të ndalë praktikat që dëmtojnë besimin publik dhe rendin institucional".
Të enjten, Komuna e Prishtinës reagoi publikisht, duke kërkuar nga qytetarët që pagesat për pastrim t’i bëjnë drejtpërdrejt në Komunë. Po ashtu, u kërkua që të gjithë ata që tashmë kanë paguar faturat në Ndërmarrjen “Pastrimi”, të dorëzojnë dëshmitë përkatëse, pasi ato do të njihen si të vlefshme.
E, pas kësaj reagoi Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, ndaj veprimeve të fundit të Komunës së Prishtinës, duke i cilësuar ato si të njëanshme dhe të paligjshme.
Në një deklaratë për media, “Pastrimi” ka shprehur shqetësimin për njoftimet që po u bëhen qytetarëve nga Komuna, ku thuhet se pagesat për shërbimet e pastrimit duhet të bëhen pranë Komunës dhe jo pranë kompanisë, siç përcaktohet në Rregulloren për Menaxhimin e Mbeturinave, të miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës. /Telegrafi/



















































