Problemet në mbrojtje shqetësojnë Flick para përballjes vendimtare ndaj Atleticon Madridit

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, përballet me një situatë të vështirë në repartin defensiv para ndeshjes vendimtare ndaj Atlético Madrid në Ligën e Kampionëve.
Katalanasit duhet të përmbysin humbjen 0-2 nga ndeshja e parë, por problemet në mbrojtje po e komplikojnë ndjeshëm këtë mision.
Një nga shqetësimet kryesore lidhet me gjendjen e Gerard Martín, i cili u detyrua të largohej në pjesën e parë të ndeshjes ndaj Espanyolit për shkak të një problemi në kyçin e këmbës së djathtë.
Flick ka tentuar të qetësojë situatën, duke deklaruar se lëndimi nuk duket serioz dhe se lojtari mund të jetë i gatshëm për sfidën e së martës, megjithëse mbetet për t’u parë nëse do të mund të përballojë të gjithë ndeshjen.
Ndërkohë, mungesat janë të konfirmuara për Pau Cubarsi dhe Andreas Christensen.
I pari është i pezulluar pas kartonit të kuq në ndeshjen e parë, ndërsa Christensen vazhdon të jetë i lënduar dhe pritet të mungojë deri në fund të sezonit. Këto mungesa e lënë Barcelonën me alternativa të kufizuara në qendër të mbrojtjes.
Në këto rrethana, zgjidhja më e mundshme për Flick është aktivizimi i Ronald Araújo dhe Eric García në qendër të mbrojtjes.
Megjithatë, kjo dyshe nuk ka luajtur shpesh së bashku këtë sezon dhe mungesa e automatizmit mund të jetë problem serioz përballë një skuadre si Atlético. Për më tepër, Araújo ka luajtur kohët e fundit më shumë si mbrojtës i djathtë, ndërsa García është përdorur shpesh në mesfushë.
Një tjetër opsion varet nga gjendja e Gerard Martín. Nëse ai është i gatshëm, mund të krijohet një kombinim tjetër në mbrojtje, ndërsa roli i Eric Garcías mund të zhvendoset sërish në mesfushë.
Kjo do të kërkonte edhe aktivizimin e Frenkie de Jong së bashku me Pedri në mesfushë, megjithëse Flick ka pranuar se nuk është ende e qartë sa minuta mund të luajë holandezi. /Telegrafi/




















































