Procesi i verifikimit dhe numërimit të votave po vazhdon në disa Qendra Komunale të Numërimit, ndërsa në disa komuna ky proces është tashmë i përfunduar.

Në Prizren, deri më tani janë numëruar 129 nga gjithsej 236 vendvotime, raporton Telegrafi.


Ndërkohë që procesi i numërimit të votave po vazhdon, kandidati për kryetar të kësaj komune nga Lëvizja Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi me Emilija Rexhepin, e cila po ashtu ka qenë në garë për postin e kryetares së komunës.

"Bashkë për Prizrenin e bashkuar! Sot arritëm marrëveshje bashkëpunimi me znj. Emilija Rexhepi, kryetare e Partisë NDS, që përfaqëson me dinjitet komunitetin boshnjak të Prizrenit. Ne u pajtuam që SZK-ja të jetë pjesë e degës ekzekutive, dhe se do të vazhdojmë së bashku me projektet e mëdha që i përfshimë në buxhetin e Republikës së Kosovës. Po ashtu, do të kthejmë komunitetit boshnjak të drejtat dhe përfaqësimin që e meritojnë. Qendrën Kulturore Boshnjake, e cila do të funksionalizohet dhe do t’u rikthehet qytetarëve", ka deklaruar Abrashi.

Ai tutje ka shtuar se kanë biseduar edhe për çështjen e Zëvendëskryetarin e Komunës për komunitete.

"Ky bashkëpunim është shprehje e respektit, bashkëjetesës dhe vizionit tonë të përbashkët për një Prizren gjithëpërfshirës, të drejtë dhe me mundësi të barabarta për të gjithë", shtoi ai.

Ndryshe, sipas të dhënave të fundit të përditësuar nga KQZ, Shaqir Totja nga PDK ka marrë 41.69% të votave. Artan Abrashi nga LVV ka marrë 29.26% të votave. Kurse, Emilija Rexhepi ka marrë 5.00% të votave./Telegrafi/