Prizreni e mbyll vitin me shumë vizitorë, gastronomia e pëlqyer nga të huajt

Atmosfera e festave të fundvitit po ndihet pothuajse në çdo pjesë të qytetit të Prizrenit. Edhe në këto ditë të ftohta dimërore, vizitorët janë të shumtë nga vende të ndryshme të botës. Turizmi në Prizren nuk kufizohet më vetëm në stinën e verës por është i shtrirë gjatë gjithë vitit. Gastronomët prizrenas 2025-n e quajnë të suksesshëm pasi solli në këtë qytet edhe vizitorë për herë të parë.
Ndonëse përgjatë gjithë stinëve mbetet ndër qytetet më të vizituara, Prizreni edhe në fundvit, sidomos pas dekorimit është atraksion në vete. E në këto ditë të ftohta vizitorë nga vende të ndryshme nuk mungojnë.
"Ne po vijmë nga Stambolli në Kosovë kemi vizituar Prishtinën për festat e fundvitit dhe tash kemi ardhur në Prizren dhe këtu do të qëndrojmë pak dhe do të kthehemi ne Stamboll. Ushqimi i mirë, qoftet janë të shijshme, është një kulturë e ushqimit e ngjashme me atë tonin, gjithçka duket e bukur", tha Nagia Pekin, turiste nga Turqia.
"Të gjitha janë shumë përshtatshme për me i vizitu, tana llojet e ushqimit i përdori, më së shumti më pëlqejnë qebabat", theksoi Kadri Haxhiu, vizitor.
Ushqimi në Prizren pothuajse u është përshtatur të gjithë vizitorëve. Ilir Shala nga shoqata e gastronomëve të Prizrenit thotë se edhe çmimet nuk janë përfolur si të shtrenjta nga vetë vizitorët.
"Ndoshta është edhe një target, kur flasim ne krahas çmimeve që janë në vendin tonë dhe në vendet e tjera, edhe pse ka pas propogandim shumë të madh se jemi shumë të shtrenjtë, por përkundrazi, për vendin dhe atë që ofron gastronomia jonë, mendoj se e arsyeton edhe çmimin edhe shërbimin", tha ai.
Përgjatë këtij viti Prizreni ka pritur dhe ka përcjellë vizitorë të shumtë. Ka pasur nga ata që vijnë për herë të parë dhe nga shumë që tashmë e kanë bërë traditë qëndrimin këtu.
"Kemi pas vizita nga Lindja e largët, nga Amerika, nga Spanja, Portugalia, gjithë vendet e tjera, pasi Prizreni është bërë si cak i vizitorëve. Përveç vendeve të Ballkanit që na kanë vizituar, këtë vit pasi janë hequr edhe masat për shtetin e Bosnjës, edhe ata kanë qenë vizitorë si shumë të tjerë", shtoi ai.
Por, gastronomët jo vetëm në Prizren po përballen me sfida të ndryshme e më kryesorja është mungesa e punëtorëve. Gjithsesi, ardhja e mërgatës për festat e fundvitit, pritet të gjallërojë qytetin dhe t`i japë një shtytje turizmit në Prizren./RTK

















































