Kryetari i Komunës së Prizrenit Shaqir Totaj ka pritur alpinisten e njohur Uta Ibrahimi, me të cilën ka diskutuar për organizimin e edicionit të sivjetmë të High Scardus Ultra, garës ndërkombëtare të vrapimit malor ultra-trail që do të mbahet më 5 shtator në Malet e Sharrit, ka njoftuar Komuna e Prizrenit.

Sipas njoftimit, gara do të zhvillohet në një itinerar që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, duke e bërë atë garën e parë ndërkufitare të këtij lloji në Ballkan.


Totaj thekson se High Scardus Ultra ka shndërruar Malet e Sharrit në një destinacion të rëndësishëm për sportin e aventurës dhe turizmin malor, ndërsa në edicionin e këtij viti pritet të marrin pjesë vrapues nga më shumë se 15 shtete.

Me këtë rast, kryetari Totaj rikonfirmoi mbështetjen institucionale për organizimin e kësaj ngjarjeje sportive.

“Rikonfirmova mbështetjen e Komunës së Prizrenit për këtë ngjarje të veçantë, e cila promovon Prizrenin dhe bukuritë e Sharrit në arenën ndërkombëtare. Uroj që edhe ky edicion të jetë një tjetër histori suksesi”, ka shkruar Totaj. /Telegrafi/