LAJMI I FUNDIT:

Prizrenasi, udhëheqës i Legjislativit në një komunë zvicerane

Prizrenasi, udhëheqës i Legjislativit në një komunë zvicerane

Vargut të mërgimtarëve tanë të suksesshëm në Zvicër, gjatë këtyre ditëve i është shtuar edhe Belul Bajrami nga Pirana e Prizrenit.

Ai, më 31 dhjetor 2016, në zgjedhjet lokale të komunës La Tène, të kantonit të Neuchâtelit, ka marrë votat e nevojshme për të qenë në krye të legjislativit të kësaj Bashkie me rreth pesëmijë banorë.

Bajrami në këtë pozitë nuk erdhi rastësisht. Ai ka përgatitje të duhur dhe bagazh të bollshëm politik.


I njohur nga të gjithë për punën plot suksese, në zgjedhjet e organizuara në nivel kantoni më 17 prill të këtij viti, pretendon edhe postin e deputetit në Parlamentin e Neuchâtel-it.

Detyrë parësore e Bajramit ishte dhe mbetet kryerja me sukses e mandatit të Kryetarit të legjislativit në komunën La Tène, si dhe profilizimi dhe rrita e Partisë Socialiste në shkallë rrethi dhe vendi.

“Ju lutem mos më merrni si lokalist, se në planet e mia bën pjesë edhe binjakëzimi i qytezës La Tène me komunën e Prizrenit”, tha ai.

Bajrami kohë më parë është specializuar në lëmin e migracionit dhe ka marrë titullin “Spécialist de la Migration BF”. Ai, duke qenë pjesë e komisioneve dhe ekipeve kantonale, po ndihmon dukshëm në integrimin e të huajve. Përkujdesja e treguar ndaj kësaj kategorie bëri që më 2014 të shpërblehet nga Qeveria e kantonit të Neuchâtel-it, me çmimin” “SALUT L’ÉTRANGER!”. /albinfo/