Kryetari aktual i Prishtinës, Përparim Rama, ka shpallur zyrtarisht rikandidimin e tij për një mandat të dytë në krye të kryeqytetit si kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Në fjalimin e tij, Rama tha se mandati i parë shënoi fillimin e transformimit të Prishtinës, ndërsa në mandatin e dytë synon përmbylljen e projekteve kyçe që kanë mbetur në proces. Ndër projektet që veçoi ishin: përfundimi i sheshit deri te rrethi me flamur, ndërtimi i unazës së brendshme, sheshi “George Bush”, rruga A, si dhe zgjerimi i modelit të mësimit tërë ditor.


“E nisëm katër vjet më parë një transformim të vërtetë që vendosi themelet për një të ardhme të qëndrueshme. Rruga A thoshin se nuk bëhet, por ia kemi nisur dhe do ta përfundojmë. Mësimi tërë ditor po ndihmon mbi pesë mijë nxënës dhe familjet e tyre në aspektin ekonomik,” tha Rama, duke shtuar se deri në fund të këtij viti të gjitha klasat në shkollat e Prishtinës do të pajisen me tabela digjitale.

Ai e vuri theksin edhe te projekti i unazës së brendshme, për të cilën tha se do të ndihmojë në zgjidhjen e trafikut dhe do të krijojë kushte më të mira për lëvizjen e ambulancave, policisë, biçikletave dhe këmbësorëve.

“Unaza e brendshme do të përfundojë në këtë mandat. Do të sjellë siguri më të madhe për të gjithë, dhe do ta bëjë Prishtinën një metropol të denjë për banorët e saj,” u shpreh ai.

Rama foli gjithashtu për trajtimin e çështjes së qenve endacakë, duke thënë se qasja humane përmes adoptimit ka dhënë rezultat, me rreth 2 mijë qen tashmë të sistemuar në shtëpi.

Në fokusin e tij është edhe organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030, ku Prishtina do të jetë nikoqire. Sipas tij, master-plani për zonën e lojërave do të ndikojë në zhvillimin urban dhe ekonomik, jo vetëm të kryeqytetit por të gjithë Kosovës.

Kandidatura e Ramës është mbështetur fuqishëm nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili lavdëroi punën dhe vizionin e Ramës gjatë mandatit të tij të parë.

“Katër vjet më parë u rreshtuam pas një njeriu me ëndrra të mëdha dhe një vizion të shkëlqyeshëm për Prishtinën. Ai e ndërtoi një ekip të jashtëzakonshëm dhe punoi me përkushtim. Sot, pas katër vjetësh, e rikandidojmë për të vazhduar punën e nisur,” tha Abdixhiku.

Në garën për kryetar të Prishtinës përballë Ramës do të jenë:

Uran Ismaili nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK),

Hajrulla Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV),

Bekë Berisha nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK),

Besa Shahini nga Partia Socialdemokrate (PSD).

Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12 tetor 2025.