Prindon Sadriu fton Jared Kushnerin të realizojë projektin e Hotelit Trump në Prishtinë

Zotëria i Parë i Kosovës, Prindon Sadriu, ka ftuar Jared Kushnerin, dhëndrin e ish-presidentit amerikan Donald Trump, që të vijë në Prishtinë dhe të realizojë projektin për ndërtimin e Hotelit Trump, të cilin ai kishte planifikuar fillimisht të ndërtonte në Beograd.
Në postimin e tij në platformën X, Sadriu ka theksuar se “tërheqja nga projekti i Hotelit Trump në Beograd përforcon një të vërtetë të rëndësishme: projektet kuptimplotë janë për të bashkuar, jo për të përçarë.
Zhvendosja e këtij vizioni në Prishtinë – dhe transformimi i Hotelit Grand në Hotelin Trump do të rivitalizonte një vendndodhje ideale dhe do bashkonte njerëzit.”
Kompania e Kushnerit, Affinity Partners, ka njoftuar kohët e fundit tërheqjen nga ndërtimi i komplekseve luksoze në qendër të Beogradit, në ish-ndërtesën e Shtabit të Përgjithshëm të Serbisë.
Reagimet e Serbisë kanë qenë të ndara: Presidenti Aleksandar Vuçiq ka akuzuar kundërshtarët e projektit se kanë shkatërruar një investim të vlefshëm, ndërsa demonstruesit dhe aktivistët antiqeveritarë kanë premtuar të vazhdojnë protestat kundër ndërtimit.
Ekspertët lokalë kanë sugjeruar se në vend të shembjes duhet të bëhet rindërtimi i kompleksit historik, ndërkohë që Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ka njoftuar se do të vazhdojë hetimet, pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministrit serb të Kulturës, Nikola Selakoviq, për falsifikim dokumentesh që çoi në humbjen e statusit të trashëgimisë kulturore për Shtabin e Përgjithshëm./Telegrafi.
Withdrawing from the Belgrade Trump Hotel project reinforces an important truth: meaningful projects are meant to unite, not divide. Relocating this vision to Prishtina—and transforming the Grand Hotel into a Trump Hotel—would revitalize a prime location and unite people. pic.twitter.com/T3Qq5AD3xt
— Prindon Sadriu 🇽🇰 (@PrindonSadriu) December 22, 2025


















































