Prezantimi i programit qeverisës, Kurti: Siguri dhe begati për Kosovën

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti ka prezantuar programin qeverisës për mandatin e ardhshëm si dhe zotimet e reja.
Në fjalën e tij hyrëse Kurti tha që plani i qeverisjes së ardhshme do të jetë i fokusuar në dy shtylla kryesore dhe vendimtare: Sigurinë dhe Begatinë.
“Pa begati nuk ka dinjitet, dhe pa të dyja nuk ka shtet të fortë”, tha ai, teksa theksoi si një nga arritjet më të rëndësishme të shtetit tonë në vitet e fundit, shtrirjen e sovraniterit në territorin e vendit. Rritja e buxhetit për mbrojtjen ka shtuar kapacitet tona mbrojtëse gjersa ka ndikuar në rritjen e sigurisë së qytetarëve tanë dhe besueshmërinë në shtetin tonë. Teksa premtoi se buxheti për mbrojtjen në mandatin që vjen do të jetë një miliard euro, Kryeministri Kurti theksoi se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë më e fuqishme dhe më e përgatitur se kurrë më parë”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, Kurti po ashtu premtoi siguri më të madhe të vendit përmes ndërtimit të fabrikës për prodhimin e municioneve dhe dronëve pa pilot, implementimit të programit të rezervës kombëtare në kuadër të Planit për Mbrojtje Gjithëpërfshirëse që përfshin çdo qytetar, si dhe investimit në energji e bujqësi.
“Prodhim të energjisë me më pak ndotje përmes gazifikimit, sigurim të ujit të pijes përmes ndërtimit të pesë digave të reja Kuqicë, Polatë, Dragaci, Firajë dhe Decivojë në vlerë prej 400 milion euro, dhe rritje të prodhimit vendor në 12 miliard euro për vitin e ardhshëm, ishin zotimi që vendit i garanton siguri dhe zhvillim ekonomik”. /Telegrafi/










































