Pretendon se u rendit pa pëlqim në listë për asambliste nga AAK në Pejë, kandidati për kryetar jep sqarime
Shemsije Seferi, një qytetare nga Komuna e Pejës po pretendon se pa pëlqimin e saj zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Pejë e kanë renditur në listën e kandidatëve për asamblistë.
Seferi ka treguar një kërkese që ka bërë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që t’i tërhiqet emri i saj në listën e kandidatëve për Asamble Komunale në Pejë.
Kurse, në faqen zyrtare të AAK-së në Pejë në Facebook është publikuar më 14.08.2025 lista e kandidatëve për asamblistë në krye me Ali Berishën, kandidatin e AAK-së për kryetar të Pejës.
Në këtë listë, Seferi figuron me numrin 38 si kandidate për asambliste në Pejë me AAK.
KALLXO.com ka kontaktuar me Berishën, i cili ishte në dijeni për këtë rast. Sipas tij, Seferi kishte pasur numrin 24 si kandidate për asambliste fillimisht, por për shkak të lëvizjeve të kandidatëve është vendosur në numrin 38 në listë.
Seferi përmes telefonit tha se është aktiviste, si dhe pjesë e një Organizate Joqeveritare mbi 20 vite. Ajo pretendon se i është falsifikuar nënshkrimi, pasi nuk ka nënshkruar për të kandiduar për asambliste me AAK në Pejë.
“Është shpërnda pa u licencu lista dhe emri im në Facebook. Kanë dhënë informacion që unë kam hy në listën e AAK-së. Mua m`u ka prishë imazhi. Unë jam në Organizatë Joqeveritare që 25 vite, aktiviste, kam qenë edhe pjesë e politikës herëve të tjera dhe me m’u prishë imazhi në atë mënyrë? Ata duhet të japin përgjegjësi shumë të madh për atë nënshkrim timin të falsifikuar, pa qenë unë kur ka shku lista për atje. Ata sot (18.08.2025) e kanë tërhjek [emrin nga lista], unë kërkesën e kam bërë [në KQZ]” – ka thënë Seferi për KALLXO.com.
Ajo e ka pohuar se ishte takuar me zyrtarët e AAK-së në Pejë për ta biseduar kandidimin për asambliste. Seferi ka paralajmëruar se do t’i padisë për këtë rast.
“Kam fol por unë i kam qitë kushtet e mia dhe ma kanë kthyer që jo, na jepin pare njerëzit me hy në Aleancë. Unë jap pare për me hy në Aleancë? Me të dhënë ty përkrahje? Unë ua kam qitë kushtet e mia, ata nuk i kanë pranu por nga kam dalë unë nga aty, ata e kanë dërgu listën për atje dhe po më thërrasin, ke qenë numër 38 dhe ka nënshkru dikush në emër kur iu kanë kthy me i nënshkru listat atje, me deklarata, e ata e kanë bërë vet. Asnjëherë më nuk kam qenë në dijeni për këtë” – ka shtuar ajo.
Ali Berisha, i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë se Seferi nuk ka qenë më parë në strukturat e Aleancës.“Për pozicionin 24 më duket ka nënshkruar ajo, mirëpo me qenë se s’ka qenë e kënaqur me ndërru pozicionin prej 24 që ka qenë në 38, do të thotë nuk ka pranu t’i ndërrohet numri, ka kërkuar që të hiqet prej liste dhe ajo është heq prej liste” – ka deklaruar Berisha.
Sipas Berishës, stafi administrativ i AAK-së në Prishtinë ia ka ndërruar pozicionin Seferit me një kandidat tjetër. Pra, një person tjetër ka marrë numrin 24 në listën për asamblistë në Pejë.
“Ai ndërrim është ba meqenëse ka pas një kandidaturë tjetër edhe për arsye është ba ai ndërrim. Ka qenë dikush tjetër edhe këto nivelet politike janë që kërkojnë kandidatura sa ma të mira edhe për atë është ba” – tha Berisha.
I pyetur për pretendimin e Seferit se i është falsifikuar nënshkrimi për të qenë kandidate për asambliste në Pejë, Berisha nuk beson të ketë ndodhur diçka e tillë. Se pse nuk është përditësuar lista e publikuar me kandidatët për asamblistë për Pejë në faqen e degës së AAK-së në Facebook, Berisha tha se sot (18.08.2025) ka ndodhur tërheqja e Seferit nga lista.
Për padinë që paralajmëroi Seferi, Berisha tha “të gjitha të drejtat ligjore ka të drejt m’i shfrytëzu, kushdo që ka bërë ndonjë shkelje duhet të japë përgjegjësi”.
“Krejt këto çka janë ba, janë ba në konsultime, jo me të [Shemsije Seferin], po me strukturat këtu të shërbimit teknik që janë dhe mandej është vendos po më duket 38, po nuk jam i sigurt dhe meqenëse ka qenë e pakënaqur me atë pozicion atëherë me kërkesë të saj, ka bërë kërkesë m’u tërhjek dhe është tërhjek krejt prej listës” – shtoi Berisha.
Zgjedhjet lokale do të mbahen më 12.10.2025.






























