LAJMI I FUNDIT:

Presidenti Thaçi: Prodhimet ‘Made in Kosova’ pjesë e tregjeve evropiane e botërore

Presidenti Thaçi: Prodhimet ‘Made in Kosova’ pjesë e tregjeve evropiane e botërore

Presidenti Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Kryetari i Kaçanikut, Besim Ilazi, ka vizituar fabrikën “Kivo” në Kaçanik, investim ky kosovaro-holandez, me mbi 110 të punësuar.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo fabrikë është dëshmia më e mirë se produktet “Made in Kosova”, çdo ditë e më shumë po eksportohen në tregun evropian.


“Modeli i tillë, çfarë e kemi këtu në ‘Kivo’, është modeli më i mirë i mundshëm për biznesin privat, për bashkëpunimet vendore dhe ndërkombëtare, për klimën e mirë të biznesit në Republikën e Kosovës, për fuqinë punëtore, atraktivitetin e të investuarit në Kosovë, por edhe dëshmi se pavarësisht prej vështirësive që i kemi si shtet, prodhimet ‘Made in Kosova’ sot janë kudo, janë në Holandë, janë në Gjermani, janë në Francë, janë në shtetet më të rëndësishme evropiane e më gjerë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka theksuar se kjo mundësi e krijuar nga pronarët e fabrikës “Kivo” është një perspektivë e mirë për Kaçanikun dhe një mundësi për krijimin e vendeve të reja të punës.

“Me të vërtetë është një perspektivë shumë e mirë edhe për Kaçanikun, për njerëzit e Kaçanikut, për krijimin e vendeve të reja të punës, për punësimin e tyre të mëtutjeshëm, për rritjen e mirëqenies sociale të familjeve të tyre, por edhe mundësi tjetër e një ekspertize për zgjerim edhe në hapësirat e tjera të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi, ka thënë se kjo është një kompani shembull për të tjerët.

“Me përvojën dhe ndikimin që kanë pasur pronarët e kësaj kompanie, kanë bërë një diçka jashtëzakonisht të mirë, që në fakt kemi pasur edhe interesime tjera në Komunën e Kaçanikut”, ka thënë kryetari Ilazi.

Pronari i fabrikës “Kivo”, Visar Ramajli, ka thënë se kompania e tij, merret me prodhimin e produkteve të ambalazhimit fleksibil.

“Është një bashkë investim në mes të investitorëve lokalë dhe atyre holandezë, si dhe ka katër vite që operon dhe suksesshëm eksporton në vendet e zhvilluara të Bashkimit Evropian”, ka thënë Ramajli.

Presidenti Thaçi në fund ka thënë se institucionet e vendit janë përkrahë ndërmarrësve, që për aq sa kanë mundësi, t’ia lehtësojnë angazhimet për hapjen e mundësive të reja për biznes, për vende të punës dhe për mirëqenie më të mirë sociale. /Telegrafi/