Presidenti i Marseilles zbulon prapaskenat: Nëna më bindi ta transferojë Greenwoodin

Presidenti i Olympique Marseille, Pablo Longoria, ka zbuluar se përpara se të nënshkruante me Mason Greenwood, ai kërkoi këshillën e nënës së tij në lidhje me situatën e lojtarit.
Greenwood ishte përballur më parë me akuza për tentativë përdhunimi, sjellje shtrënguese dhe sulm, të cilat u rrëzuan të gjitha në shkurt 2023, gjatë kohës që ishte ende pjesë e Manchester United.
“Me të gjitha informacionet, e thirra nënën time. I thashë: ‘Çfarë mendon, duke e ditur të gjithë situatën?’ Ajo punonte në sistemin e burgjeve në Spanjë dhe ishte e vlerësuar me medalje shtetërore. Më tha: ‘Bëje!’ Për mua ishte e rëndësishme që dikush që nuk merret me sport të jepte një opinion objektiv", tha Longoria.

Ai shtoi se për klubin, vendimi për të sjellë Greenwood-in ishte një mundësi e madhe sportive dhe se analiza e situatës ishte bërë me shumë kujdes.
“Krijimi i tabuve në jetë nuk është kurrë pozitiv. Për ne, ishte një mundësi e madhe tregu nga një perspektivë sportive, ku analizuam me shumë kujdes se çfarë ndodhi në të vërtetë”, tha Longoria.
Marseille e solli Greenwood-in në verën e vitit 2024 nga Manchester United, në një transferim me vlerë 26 milionë euro.
Që nga ajo kohë, sulmuesi ka qenë i jashtëzakonshëm për klubin francez, duke shënuar 20 gola dhe dhuruar 6 asistime në 28 paraqitje këtë sezon. /Telegrafi/





















































