Premton rikthimin e të larguarve nga LDK-ja, Hoti: Mund t’i bashkoj copat e partisë

Avdullah Hoti, i cili ka konfirmuar ambicien e tij për të kandiduar për postin e kryetarit të kësaj partie, është shprehur i bindur se mund ta rikthejë unitetin brenda LDK-së, përfshirë edhe anëtarët dhe strukturat që janë larguar nga partia ndër vite.
Sipas tij, të gjithë akterët politikë janë ende pjesë e LDK-së, por mungon funksionaliteti dhe bashkëveprimi i nevojshëm për të prodhuar rezultate konkrete.
“Aty janë të gjithë, por nuk janë, si me thënë, në mënyrë funksionale duke bashkëvepruar për të prodhuar një rezultat në këtë drejtim”, ka deklaruar Hoti.
Duke folur për rezultatin e vitit 2021, ish-kryeministri Hoti tha se atëherë ka pasur dorëheqje dhe në parti është krijuar standardi për të marrë përsipër përgjegjësinë e rezultatit.
“Sigurisht që kam pasë përgjegjësi edhe unë, edhe atëherë edhe tash kam përgjegjësi. Ne nuk jemi duke e vënë para një trupi gjykues kryetarin e LDK-së, ne duhet të mësohemi me standardin që është vendosur në vitin 2021, kryetari i LDK-së ka marrë përsipër rezultatin që kemi pasur atëherë dhe ka dhënë dorëheqje”, tha ai.
Sipas tij, në çdo rezultat zgjedhor, përgjegjësia fillon nga kryetari i partisë, e deri tek anëtarët e nëndegëve.
“Në çdo rezultat zgjedhor përgjegjësi kanë, duke filluar prej kryetarit të partisë, e deri te anëtari i kryesisë së nëndegës, të gjithë kanë përgjegjësi në krejt këtë zinxhir të strukturës hierarkike të LDK-së, dikush më shumë, dikush më pak, por drejtimin e politikave të LDK-së ia jep kryetari dhe në fund përgjegjësia shkon te kryetari i LDK-së”, u shpreh Hoti.
Ndërkohë, më 31 janar, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë Kuvendin e jashtëzakonshëm, ku pritet të vendoset për drejtimin e ardhshëm të partisë.
Në këtë kuvend do të shihet nëse kryetari aktual, Lumir Abdixhiku, do të vazhdojë të udhëheqë LDK-në.


















































