Premiera e “Komedisë së zezë” në Prizren, një farsë teatrale mes dritës dhe errësirës

Dritat e skenës së Teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren u shuan për disa çaste të mërkurën mbrëma. Por kjo errësirë nuk solli terr. Përkundrazi, hapi shtegun për të ndriçuar një projekt artistik që luan me dritën dhe errësirën, realitetin dhe iluzionin.
Premiera e shfaqjes “Komedia e zezë”, me tekst të autorit britanik Peter Shaffer dhe regji të Ilir Bokshit, solli për publikun e pranishëm një përvojë skenike të pazakontë, respektivisht një farsë të errët, të mbështjellë me humor, tension dramatik dhe kreativitet muzikor.
Në këtë shfaqje ku drita ndizet kur personazhet janë në errësirë dhe errësohet kur ata “shohin”, publiku u përfshi në një realitet të përmbysur, ku absurdi bëhet i zakonshëm dhe e qeshura lind nga ndjesitë më të papritura. Skenat u shoqëruan nga këngë të njohura të ripërpunuara mjeshtërisht, duke krijuar një atmosferë të ngjeshur e dinamike.
Regjisori Ilir Bokshi ka bërë të ditur se ideja për ta sjellë këtë vepër teatrale në Prizren ka lindur nga bashkëpunimet e mëhershme me Teatrin “Bekim Fehmiu” respektivisht nga dëshira për të sfiduar veten në një zhanër të vështirë siç është farsa.
“Në jetën time profesionale kam pas dy tekste të ngjashme, që njihet si farsa, që është ndër zhanret më të vështira të teatrit. Pata dëshirë ta provokojë veten, sidomos me këtë idenë e përzierjes së farsës me muzikë. Me atë që e patë edhe ju vetë, edhe ku unë besoj, bashkë me bashkëpunëtorët e mi, e kemi armën më të fortë të paraqitjes skenike. Pra, pse jo me e provu edhe një herë farsën, dhe me pa a jemi në gjendje akoma për të prodhuar vepra të tilla”, ka thënë Bokshi, raporton Telegrafi.
Sipas tij karakteret e shfaqjes kanë një universalitet pasi gjithandej ushtaraku është ushtarak, ka njerëz të moralshëm e të pamoralshëm, dhe kësisoj vepra nuk përcakton vend apo krahinë. Në të njëjtën kohë ka vlerësuar lartë reagimin e publikut, duke shtuar se edhe falë bashkëpunimeve të mëhershme në Prizren ndihet si në shtëpi.
Në këtë farsë të pazakontë, ku ndriçimi funksionon në kahe të kundërta, publiku përfshihet në një botë absurde, plot situata komike, tensione të padukshme dhe përplasje karakteresh që zbulojnë thellësinë tragjike të njeriut modern.
Në këtë rrafsh shfaqja ka kërkuar edhe një disiplinë të pazakontë nga aktorët. Aktorja Hajat Toçila këtë përvojë e ka përshkruar si sfiduese dhe të veçantë.
“Ka qenë shumë sfiduese, po jo e pamundur, normal. Por natyrisht ka qenë e vështirë për neve me e pa objektin, po me luajt gjoja se s’po e sheh e mu përplas me të. Ose shembull, kur gjatë dialogëve u dashtë krejt shqisat me i pas aktive. Na ka marrë pak kohë por ia arritëm”, ka thënë Toçila, raporton Telegrafi.
Sipas saj, kasta e aktorëve ka përmbushur detyrat në mënyrë të përpiktë falë edhe kujdesit të regjisorit, Ilir Bokshi, pastaj këshillave të koreografit Gëzim Serollaj por edhe angazhimit të pashoq të të gjithë ekipit realizues të shfaqjes.
Toçila ka theksuar se e tërë kjo punë është kurorëzuar me reagimin pozitiv të publikut. “Publiku gjithmonë na jep një shtytje më të madhe, pasi jemi të lidhur, jemi bashkë”, është shprehur ajo.
Ndërsa, Ernest Malazogu, i cili është shfaqur me një rol që kërkonte një lojë të veçantë fizike dhe shpirtërore ka theksuar se interpretimi ka kërkuar një angazhim meqë këtë herë loja është zhvilluar mes dritës e errësirës.
“Ka qenë pak sfiduese, derisa edhe ne hymë në ujëra të kërkesave të regjisorit. Pastaj ka qenë vetëm kënaqësi”, ka thënë Malazogu, raporton Telegrafi.
Duartrokitjet e gjata të publikut në fund të shfaqjes sipas Malazogut kanë qenë dhurata më e mirë për ekipin që ka realizuar këtë projekt, duke dëshmuar se “Komedia e zezë” ka lënë gjurmë.
“Komedia e zezë” nuk ishte thjesht një farsë, por një përjetim. Një shfaqje që ndezi dritën në errësirë, jo vetëm për personazhet, por edhe për audiencën e pranishme në këtë premierë. “Komedia e zezë” vazhdon të shfaqet në Teatrin “Bekim Fehmiu” në Prizren më 9 qershor 2025, duke ofruar një mundësi të rrallë për të përjetuar një teatër që ndriçon edhe aty ku duket se nuk ka dritë. /Telegrafi/




















































