"Pothuajse 90 për qind e gjyqtarëve në Spanjë mbështesin Realin", ish-gjyqtari me pohime tronditëse

Gjyqtari legjendar bask dhe në pension, Eduardo Iturralde Gonzalez, bëri pretendime tronditëse për mediat spanjolle në lidhje me gjyqtarët në futbollin spanjoll.
Konkretisht, rasti ishte El Clasico i fundit, në të cilin Real Madridi fitoi kundër Barcelonës me rezultatin 2:1.
Kur u pyet për numrin e gjyqtarëve që mbështesin Real Madridin dhe Barcelonën, ai dha përqindje të sakta.
"90 për qind e tyre mbështesin Realin, 10 për qind Barcelonën. Pavarësisht nëse u pëlqen apo jo tifozëve të Barçës, 70 për qind e popullsisë spanjolle, duke përjashtuar Kataluninë, mbështesin Real Madridin”, ka thënë fillimisht Gonzalez.

“Tani ka më shumë tifozë të Barçës sepse të rinjtë kanë parë tituj nën drejtimin e Guardiolës. Por para epokës së Messit, sa njerëz në Spanjë mbështesnin Real Madridin? 70 përqind".
Siç pretendon ai, ai nuk ishte tifoz i asnjërit klub.
"Sa më përket mua, nuk jam i interesuar as për Realin dhe as për Barcën, jam tifoz i Athletic Bilbaos dhe të gjithë e dinë këtë. Por, për të qenë i drejtë, u bëra keq atyre", tha ai me ndershmëri. /Telegrafi/



















































