Një 34-vjeçar nga fshati Garunjas, Lushnjë, është dënuar me 25 vite burg pas akuzave se kishte porositur një vrasje të mbetur në tentativë.

Laert Hasalla ndodhej nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe tani do të vuajë dënimin e dhënë nga Gjykata e Fierit.


Sipas policisë, Hasalla kishte paguar një 31-vjeçar për të qëlluar me armë zjarri ndaj një automjeti, me qëllim vrasjen e shtetasit Marius Hasalla, raporton euronews.al.

Nga të shtënat mbeti e plagosur shtetasja B. S, halla e Mariusit, e cila ndodhej në të njëjtin automjet me Mariusin.

“Policia arriti të zbardhë tentativën e vrasjes që ndodhi më 30 mars 2023 në Lushnjë. Për shkak të një konflikti të hershëm gjakmarrjeje, 22-vjeçarit Marius Hasalla iu organizua atentati, por e plagosur mbeti halla e tij, Bajame Sejena”.

Në pranga ranë Mariglen Matjani, 28 vjeç, dhe Laert Hasalla, 30 vjeç.

Ky i fundit ishte porositësi i atentatit dhe kishte paguar Mariglen Matjanin për të vrarë Marius Hasallën, megjithatë plani nuk shkoi sipas parashikimeve. Motivi i atentatit lidhej me një ngjarje të mëparshme: dy vite më parë, i ati i Marius Hasallës kishte vrarë Romeo Hasallën, vëllain e Laert Hasallës.

Konflikti ka nisur për një tokë prej 2 hektarësh dhe ka eskaluar në një mosmarrëveshje të gjatë mes dy familjeve. Përplasjet kulmuan në vitin 2021, kur Kastriot Hasalla qëlloi me armë zjarri ndaj kushërinjve të tij, duke lënë të vdekur 30-vjeçarin Romeo Hasallën dhe të plagosur Shaip Hasallën së bashku me dy djemtë e tij, Emiljano dhe Laert Hasallën. Për këtë ngjarje, Kastriot Hasalla u dënua me 35 vite burg.