LAJMI I FUNDIT:

POP DIVA, ADELINA

POP DIVA, ADELINA

Ekstravagante deri në detaje, eksperimentuese deri në skaje. Ndër të paktat këngëtare shqiptare, artiste, e cila ka një stil unik jo vetëm në muzikë, por edhe në performancë dhe dije të zgjeruara. Adelina, mbi të gjitha është njëra prej personazheve më ëndjendjellëse, ndërsa paraqitja e saj vlerësohet si ngjarje e rrallë kulturore.

Intervistoi: Gazmend Kajtazi

Nga natyra është, e shoqërueshme dhe shumë e ngrohtë, kurse në këngët e saja ka gjithçka, dashuri, revoltë, kushtrim…Një pikë kulmore emocionesh. Emocione, të cilat ne i kemi ndjerë çdo herë dhe presim t’i ndjejmë gjithmonë e më shumë.

Biseduam për shumëçka, por prapë nuk arritëm t’i themi të gjitha. Kjo është Adelina për ju, përmes syve tanë!


Adelina, na thuani diçka ‘boom’ ekskluzive që nuk e keni thënë deri me tashti?
Përshëndetje. Ende nuk keni parë asgjë, çfarë do të shihni. Ky është vetëm fillim i ri.

Keni vendosur të riktheheni në skenë me një singël të quajtur “Karma” që vjen si bashkëpunim me artistin G4shi. Pse vendoset të bashkëpunoni me një reper, i cili jeton në Amerikë? A do të thotë kjo se po kaloni në një nivel tjetër në cilësi?
As që e dija dhe as që më interesonte ku jeton G4SHI kur po e dëgjoja këngën e tij. Më pëlqeu, kjo është arsyeja primare. Më pëlqeu edhe më shumë kur kuptova që është nga reperët e rrallë shqiptar, që në asnjë moment, nuk e mohon origjinën e vet, edhepse ia ka dalur në tregun e New York-ut ku konkurrenca është e tmerrshme. Madje, e potencon më shpesh sesa shumica prej nesh. Doja që ai të njihej më shumë tek ne, nuk e kisha të qartë pse dihej kaq pak për punën e tij. Kam një pikë të dobët ndaj artistëve shqiptar të talentuar që mbesin të anashkaluar për arsye që unë nuk i di dhe, nuk dua t’i di. Edhe vet kam qenë e ndihmuar nga gjigantët e skenës shqiptare kur anashkalohesha. Kam bashkëpunuar dhe kam përkrahur në forma të ndryshme shumicën e reperëve shqiptar që jetojnë në trojet shqiptare kur ata kishin nevojë të dilnin nga anonimiteti apo të ishin të përkrahur. Shumica ia kanë dalur për mrekulli dhe kjo më bën të lumtur. Rap apo hip-hop skenën shqiptare e shoh nga një perspektivë tjetër. E shoh si më e suksesshmja në Ballkan. Ato inatet e betejat e vogla të tyre që janë imazh për fansat, më shumë sesa armiqësi e vërtetë, janë çështje e tyre profesionale të cilën nuk e diskutoj. Kjo puna e cilësisë është çështje shijesh. Kemi muzikë që pa problem mund të sfidojë dhe hitet më të njohura botërore. Unë po kaloj në nivel ku dua të shfrytëzoj popullaritetin tim për të sjell artistë të ri në skenat shqiptare, artistë që do ta begatojnë muzikën tonë. Kam arritur në një stad ku nuk kam çfarë të marr më. Andaj do të filloj të dhuroj.

Si i vlerësoni bashkëpunëtorët tuaj që nuk janë aq pjesëmarrës dhe të dukshëm në industrinë muzikore dhe tregun aktual shqiptar? A po provoni një depërtim në tregun ndërkombëtar?
Janë gjigantët e muzikës moderne shqiptare. Gjigantët nuk ulërijnë çdo muaj. Kam përshtypjen që me tërheqjen e tyre dinjitoze, ata na lënë të kuptojmë që nuk duan ta përdhosin punën e tyre brilante në këto kohëra kur, vlerat po krijohen me programe kompjuterike. Por, pavarësisht kësaj, nuk ua fal. Unë përcjell çdo paraqitje të një Sabri Fejzullahut sot, i cili është kolos i asaj që e quajmë, art i pavdekshëm. Unë jam në tregun ndërkombëtar në momentin që kam kontratë me produksion ndërkombëtar. Është çështje tjetër që kam vendosur të punoj seriozisht në “gatimin e brumit” deri në momentin kur puna prapa skene mbaron dhe, vjen dita kur do shfaqet. Kur flas për shfaqjen e këtij ‘produkti’, në asnjë moment nuk po flas për foto në rrjetet sociale me të cilat do mashtroja ata që më duan, reklama false të cilat lënë vend për hamendësime dhe ca tituj aty këtu. Jam më ambicioze se aq. Nuk guxoj të zhgënjej miqtë as sot as pas 10 vitesh. Tash e 7 vite fsheh çdo projekt timin deri në finalizim kur e shfaq. Për këtë më obligon dhe kontrata e konfidencalitetit që e kam. Gënjen ai që thotë se mund të shkosh nga Kosova ose Shqipëria dhe brenda muajit të arrish ta sundosh tregun ndërkombëtar. Duket qesharake, surreale dhe deluzion. Unë ik nga media në momentin që nuk kam projekt serioz profesional për ta dhënë, ju këtë e dini. Le të gjykohet apo reklamohet apo diskutohet nga të tjerët puna ime.

Jeni duke punuar në albumin e ri, cilat do të jenë risitë e tij dhe a është "Karma" pjesë e këtij albumi?
Do të kem shumë bashkëpunime interesante. Më shumë se kurrë. Është hera e parë në jetë që dua punën time ta shfrytëzoj edhe për tjerët, ata që meritojnë të jenë pjesë e muzikës shqiptare. Do kem bashkëpunime edhe me emra të dëshmuar. Ka dhe gjëra tjera të bukura që nuk do t’i bëj publike, jo për elementin ‘befasi’, sa nga fakti që detyrohem të mbroj këtë album nga interferencat negative. Jam larg përfundimit, por nuk po ngutem. Patjetër që “Karma”, do të jetë në album.

A do të ketë balada, apo vetëm këngë kryesisht ritmike të stilit më perëndimor?
Patjetër që do të ketë balada, janë pjesa më e bukur dhe muzikalisht më e realizuara e karrierës sime, të vetmet këngë ku unë këndoj 100% si vetja. Jo të gjitha këngët do të jenë të stilit perëndimor, për faktin që në muzikën tonë ka filluar të kopjohet shëmtuar muzika amerikane dhe evropiane. Andaj, do ketë këngë, le t’i quajmë shqip-moderne, por edhe të tilla që nëse duhet të tingëllojnë si këngë amerikane apo evropiane, do të punohen në Amerikë apo Evropë. Do të ketë gjithçka…

Duket sikur është krijuar një gjeneratë e këngëtareve të arta dhe ky kapak i artë, po i len ende larg skenës gjeneratën tjetër,e cila, mbase duhet të presë një kohë tjetër?
Është faji apo merita e medies sonë. Eksplodimi i informacionit të deformuar në media, i cili nuk pati kohën e duhur të evoluojë në mënyrën normale, ka bërë përzgjedhjen. Pastaj që ne historikisht jemi popull i prirur të glorifikojmë individë, të paktë në numër. Gjithsesi, është dhe ana tjetër e medaljes. Artistë të caktuar krijojnë lidhjet e tyre aspak artistike me nëntokën e fuqishme në vendin tonë. Kjo do të ndryshojë shumë shpejt, besoj.

Sikur e keni mbuluar tregun dhe e keni zënë shtegun, prej nga asnjë më nuk ka udhë për t’iu arritur, e lërë më për t’ iu tejkaluar?
Kam mbi shtatë vite që, në njëfarë forme, jam larguar nga tregu muzikor. Herë më kanë dëbuar, por shumë herë jam larguar vet. Ka një arsye, ndoshta ka shumë arsye për këto që po thoni ju. Janë bërë dhjetëra emisione, reportazhe, shkrime, sondazhe, etj. Nuk besoj që në art ekziston disfata apo fitorja. Besoj në përjetësinë e artit e cila i shërben pasurimit të sotmes dhe të ardhmes, e cila i shërben mirëqenies së tjerëve. Arti ekziston për të zbukuruar jetën e të tjerëve, artisti duhet të jetë ai shërbëtori i devotshëm që e sjell.

Apo, vlerat vijnë në kohën e vet dhe secila kohë i ka idhujt e vet?
Vlerat nuk maten me kohën kur krijohen. Idhujt krijohen për t’u rrënuar. Që të dyja i sfidon arti, si diçka e përjetshme. Si madhështi e cila gjykohet shumë më vonë sesa në momentin kur është krijuar. Ky është dallimi mes artit dhe sensacionit. Koha vret sensacionin dhe përjetëson artin.

Pas çdo krijimi ekziston muza. Ju e keni një frymëzim të mistershëm që ju mban përherë aktive dhe atraktive, madje edhe eksplozive.
Gjyshja ime. Ajo fshihte të tmerrshmen për të na zbukuruar neve jetën. Ajo thjeshtësonte dhe tragjedinë. Ajo ishte shkolluar me insistimin e babait të saj. Refuzonte tabunë në një mënyrë krejtësisht normale, edhepse ishte e paragjykuar për bukurinë e saj. Ajo sfidonte edhe vdekjen me entuziazëm. Ajo e përjetonte të keqën si një pengesë që duhet kaluar për të festuar të mirën. Është ajo që më mësoi se lumturia e tjetrit është lumturia ime.

Në skenë jeni ‘shpërthyese’ dhe këngëtare që i theni të gjitha tabutë, konvencionet dhe shabllonet. Sikur jeni ithtare e thënies, rregullat janë për t’u thyer?
Varet për çfarë rregulla po flasim. Varet kush i ka krijuar ato rregulla. Nëse rregull na qenka të përbuzet personi i cili është ndryshe nga ai që ka krijuar rregullat. Nëse rregull është të fshehim të keqën e cila pastaj lirshëm përhapet si sëmundje, nëse rregull është të shkatërrosh shenjtërinë e bukurisë së femrës, nëse rregull është të manipulosh e mashtrosh ata që të duan e besojnë, nëse rregull na qenka të pranosh të jesh qenie inferiore, nëse rregull është të mburresh me injorancë dhe analfabetizëm, nëse rregull është të jesh pjesë e kopesë së udhëhequr nga një çoban i çmendur dhe primitiv, unë pështyj në këto rregulla. I luftoj me tërë qenien time.

Tekstet e këngëve i keni shumë zanzi? Kush i shkruan këto tekste dhe a keni ju dorë në to?
Tekstet e mia kryesisht paraqesin gjendjen shpirtërore të atyre që iu këndoj. Gati çdo tekst që e këndoj, e shkruaj vet.

Ke pasur disa pushime, por sa herë je kthyer ke goditur fuqishëm, duke heshtur të gjithë. A e konsideron suksesin dhe imazhin tënd të paarritshëm për koleget tuaja?
Pushimet më janë imponuar shpesh herë. Mendoj se koleget e mia kanë një respekt për mua, e kanë thënë dhe e kam dëgjuar. Ndoshta, sepse gjatë gjithë jetës sime kam respektuar shpirtrat e mëdhenj edhe kur emri i tyre ishte i vogël. Imazhin tim nuk e shoh sikur të arritshëm apo të paarritshëm. Imazhi im është ndryshe. Është brutalisht realist.

Ke qenë shembull për njerëzit për mënyrën se si e ke perceptuar situatën socio-politike. Sipas teje, ku gjenden shqiptarët pas këtij 102 vjetori historik?
Unë bëj detyrën e artistit. Shqiptarët jemi popull, i cili me çdo segment të jetës po bëjmë luftërat tona vetjake për të qenë pjesë e një Evrope të arrirë. Po asaj Evrope që dikur, kur ishim ilirë, e krijuam vet.

Jeni një femër me shije të stërholluar. Konsultoheni me dikënd për veshjen, dukjen, apo shumë gjëra i bëni vetë, sepse, mbase keni edhe ndonjë sekret?
Faleminderit. Përveç faktit që kam lindur në një familje ku femrat gjithmonë janë quajtur të bukura dhe kanë aplikuar me kënaqësi ato ritualet e mirëmbajtjes së bukurisë si stil jete, si kulturë familjare dhe jo si luks, kam pasur dhe fatin që nga moshë e re të kaloj kohë në metropolet botërore. Sekreti im është i thjeshtë: “Guxo të prezantosh, mos u fsheh pas së rëndomtës”. Pa anashkaluar Parisin, që është inspirimi im. Për mua, femra më e bukur është ajo që din dhe guxon t’i dashurojë shenjat e jetës së saj. Shëmtia vie në momentin kur gruaja lufton vetën e saj për t’i ngjarë një kukulle. Çdo dukje imja ka vulën time.

Sa punoni në ditë dhe a iu mbetët kohë për diçka tjetër?
Gjej kohë për të gjitha. Që nga fëmijëria më kanë edukuar dhe mësuar si të organizohem. Ka ditë kur punoj deri në 20 orë. Ka ditë kur nuk punoj fare. Si çdo njeri me profesion, puna më merr 7 deri në 8 orë në ditë.

Nuk folëm për Valin dhe lidhjen me të. Duket se është çimentuar ajo lidhje, dhe duket pa lidhje nëse lëshohemi në thashetheme, apo jo?
Nuk di a mund ta quaj të çimentuar. Është më e fortë, më shpirtërore se aq. Edhepse rrënjët tona tashmë janë të bashkuara shumë thellë, asnjëherë nuk ia ndalojmë vetës të fluturojmë lart, në kënaqësi. Thashethemet janë pjesë e profesionit tonë, dhe si të tilla nuk përbëjnë problem. Janë pjesë e punës, jo e jetës.

Ç’ju tërhoqi në momentin e parë që u takuat?
Buzëqeshja e tij. Buzëqeshte sinqertë, në mënyrë respekti për të mos përbuzur fatalitetet e mia klasike ballkanase. Qëndrimi i tij plot vetëbesim me të cilin ai më linte përshtypjen e mashkullit për të cilin unë jam një “libër i lexuar”, por shikimi i tij ndizej flakë kur kuptonte që femra është suprizë. Shpresoj një suprizë e bukur, hahaha.

Ju afruan shijet e përbashkëta?
Përfundimisht!

Në çka puqeni dhe me çka dalloheni?
Kemi shijen e njëjtë për gati çdo gjë: që nga ushqimi, dekori i shtëpisë, deri tek arti dhe stili i jetesës. Nuk mbajmë inate, janë humbje kohe; nuk njohim xhelozinë janë humbje energjie; kalojmë gati 24 orë në ditë bashkë tash e sa vite. Shpesh herë ai fillon fjalinë, unë e mbaroj, dhe e kundërta. Për ata që nuk na njohin, dukemi si binjakë. Dallojmë në temperament. Ai është i qetë dhe shumë i durueshëm. Unë jam…nejse ju tashmë e dini, hahaha.

Cili është “shefi’ në rastet e marrjes së vendimeve të përbashkëta?
Varet për çfarë vendimi bëhet fjalë. Natyrisht që Vali vendos se cilën lojë futbolli do ta shikojmë, natyrisht që unë vendos se çfarë buzëkuqi do të vë. Nuk ka shef. Çdo vendim e marrim pas diskutimeve të gjata. I jap të drejtë ose më jep të drejtë, varësisht se cili nga ne njeh më mirë rrethanën për të cilën vendosim.

Kush është më tolerant dhe pajtohet më shpejt pas një zemërimi, nëse ndodh ai?
Herë ai, herë unë. Ok, më duhet ta pranoj, Vali është më tolerant…

Në dashuri dhe në luftë çdo gjë lejohet. Mirëpo, është shumë me rëndësi që dashuria qëndron pas çdo fjale dhe pas çdo gjesti.
As unë dhe as ai nuk pajtohemi që në luftë dhe dashuri lejohen të gjitha. Njerëzit që mendojnë kështu, gjithmonë përballen me pasojat. Plotësisht pajtohem që gati çdo gjest i njeriut është rezultat i një dashurie. Përveç në rastet e atyre që nuk kanë njohur dashurinë.

Thonë se njerëzit me kalimin e kohës ndryshojnë. A ka diçka te ju që po i reziston kohës?
Nuk besoj se njerëzit ndryshojnë me kohën. Thjesht, me kalimin e kohës zbulohen kush janë në të vërtetë. Mendoj se ideali është më i fuqishëm se vet njeriu. Rezistoj për t’i treguar vetës dhe të tjerëve që vërtetë e mira gjithmonë e mund të keqën.

Për cilat gjëra do të dëshironit që një ditë t’ju mbajnë në mend, përveç faktit që merreni me muzikë?
Nuk e kam menduar kurrë. Tani kur po e mendoj përgjigjen, po më duket qesharake dhe idiote ideja të thurë mite për vetën. Nuk e mendoj fare.

Si e kaloni kohën. Edhe kur vini, nuk iu shohim në Prishtinë? A mos do të thoni se, nganjëherë iu pëlqen të jeni vet(ëm)!
Dallon nga vendi. Në Amerikë më pëlqen të shëtis dhe të shikoj gjithë ato raca dhe kultura aq të ndryshme se si arrijnë të bashkëjetojnë aq mirë, e shijoj lirinë e anonimitetit total. Në Francë më pëlqen të ulem dhe të shkruaj. Edhe të bëj shoping. Në Zvicër kaloj kohë në natyrë ose kaloj ditë të tëra në çerdhen tonë të dashurisë. Në Shqipëri më pëlqejnë mbrëmjet në ambiente të mbyllura me miq e mikesha. Në Prishtinë shfrytëzoj çdo sekondë të lirë për familjen. Nuk më pëlqen të jem vetëm, andaj gati kurrë nuk jam vetëm. Përveç në raste shumë të rralla kur tinëz, si një shqiptare egoiste e vërtetë, dal buzë liqenit dhe e festoj, e lumtur deri në ekzaltim çdo moment të ekzistencës sime.

Pauolo Coelho e ka një thënie interesante: “Ndonjëherë duhet të mbyllesh disa dyer, jo shkaku i krenarisë, apo arrogancës, por thjeshtë, sepse nuk të dërgojnë askund’. Pajtoheni me këtë thënie?
Deri diku. Çdo derë është një mësim, do të thosha. Më shumë pajtohem me Coelhon, tek “Shtriga e Portobellos” ku e thotë: “Mos lejo të tërhiqesh poshtë nga mendimet e njerëzve. Mendimet e tyre do të ndryshojnë pas disa ditësh, vitesh, dekadash, shekujsh. Dikur na digjnin në turrën e drunjve për atë që ne bënim, duke na quajtur shtriga. Pastaj na gurëzonin shpirtin duke na quajtur lavire, pastaj na quajtën të sëmura nga histeria. Sot na quajnë “gra të mençura që ia dalin në jetë”, kurse ne po bëjmë saktësisht të njëjtën që dikur e bënin ato që i quajtën shtriga, lavire, histerike. Jetoje sot atë që tjerët do ta jetojnë në te ardhmen”.

A është Adelina e veshur me petkun politik?
Të gjithë ne, në një mënyrë ose tjetrën jemi të politizuar. Unë vetëm kam zgjedhur që të mos e fsheh këtë fakt.

A do të kishit guxim të bëheshit ministre e kulturës dhe çka do të ndryshonit që në ditën e parë?
Nuk është çështje guximi, por dëshire. Unë nuk e kam dëshirën dhe as vullnetin më të vogël të menaxhoj kulturën në një vend ku me dekada kultura është deformuar nga rrethanat politike. Mendoj se më shumë kontribuoj si Adelinë Ismaili.

Mirëpo, politika nuk është edhe barrë aq e lehtë për t’u përballuar?
Tek ne politika është profesioni më i lehtë. Ne nuk kemi traditë politike siç kanë vendet tjera të avancuara. Në një vend, le të themi të Evropës perëndimore, politika vërtet është barrë aspak e lehtë. Një vend ku një ministër me 40 vite karrierë jep dorëheqjen e parevokueshme, sepse është ndalur rryma 12 minuta, politika është profesion i rëndë. Në vendin tonë ku ka politikanë që janë qenie primitive gjysmë analfabetë, ku nuk dihet a kanë diagnoza të sëmundjeve psikike apo janë vetëm budallenj natyral, ku nuk dihet a janë vetëm cuba ordiner që kanë dështuar të bëhen hajna të lagjes dhe në momentin e vakuumit janë futur në një portë e cila i ka sjellur aksidentalisht në politikë, mendoj se është profesioni më i lehtë për ata që parimet bazë i kanë të njëjta me botën shtazore. Nuk është politikë, e ka një emër tjetër që më vie turp ta shkruaj. Në të njëjtën kohë, në vendin tonë politika është barra më e rëndë për ata pak njerëz të mirë dhe të ngritur intelektualisht. Për këta të fundit, është profesion nga i cili asnjëri nuk ka dalur i lumtur.

Si qëndroni me disponimin?
Jam optimiste e pashërueshme. Unë vërtet e festoj çdo moment të jetës dhe fatit me të cilin jam e bekuar.

Po me lumturinë?
E teproj me ekzaltim. Dua t’i bëj të gjithë të lumtur, sepse jam vet e lumtur. Prandaj vuajtja ime e vetme mbetet Kosova. Në Kosovë ka aq shumë vuajtje, dëshpërim, zhgënjim. Po shoh njerëz që po dorëzohen dhe shuhen ngadalë. Nuk është e drejtë, nuk është normale. Andaj tentoj t’i “infektoj” me lumturi. Shpesh është e kotë, por kam një jetë që bëj këtë gjë dhe pavarësisht se në mënyrë konstante ik nga negativiteti të cilin nuk e lejoj të futet në jetën time, prapë provoj.

Po me mërzinë?
Mërzia ime lidhet me Kosovën, siç e thash më lart. Në raste kur nuk mund ta mposht dhembjen e tjerëve, ngushëllohem me një koncert humanitar, siç ishte koncerti në Drenicë këtë vit.

Po me monotoninë?
Nuk ekziston, hahahaha.

I besoni thënies, ‘mos u gëzo shumë i gëzuar, mos u hidhëro shumë i hidhëruar’?
Do doja më shumë ta praktikoj, sesa që e besoj.

Adelina, po të ishim në role të kundërta, si do ta përfundonit këtë intervistë?
Nuk do e përfundoja fare. Do e vazhdoja çdo muaj, ndoshta më shpesh. Nuk rastis shpesh të bashkëbisedosh nga njerëz që në këto kohëra vulgare, arrijnë ta jetojnë madhështinë e mendjes dhe shpirtit.

Dhe pas gjithë kësaj, mbase e meritojmë një Mirupafshim.
U pafshim me të mira sa më shpejt që është e mundur. Të gjithë meritojmë më mirë në Shqiptarinë tanë, dhe askush të mos guxoj të jetë kundër kur edhe Zoti po na përkrah. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Arrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio

Arrestohet një person Kuçovë, djali i tij në kërkim - përgatisnin përzierje vajrash ndërsa i shihnin si vaj ulliri bio

Lajme
'Policia' ngjitet në skenë për Noizyn, improvizohet arrestimi i reperit gjatë koncertit të tij në Tiranë

'Policia' ngjitet në skenë për Noizyn, improvizohet arrestimi i reperit gjatë koncertit të tij në Tiranë

Magazina
“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdha për Amir Rrahmanin

“Është një ushtar, robot, kompjuter”, Conte me fjalë të mëdha për Amir Rrahmanin

Serie A
Real Madridi i përgjigjet interesimit të Arsenalit për Arda Guler

Real Madridi i përgjigjet interesimit të Arsenalit për Arda Guler

Ndërkombëtare
Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Suspendohen dy gjyqtarët e UEFA-s pas gabimit të rëndë në Ligën e Kombeve

Ndërkombëtare
Kanada ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Kanada ia dorëzoi forcave ukrainase sistemin ushtarak NASAMS

Evropa
Kalo në kategori