LAJMI I FUNDIT:

Politikanët janë zgjedhur të bëjnë politikë, jo spektakël humoristik

Politikanët janë zgjedhur të bëjnë politikë, jo spektakël humoristik
Ilustrim

Gëzim Tushi

Paradoksalisht, besoj se nuk ka vend tjetër më adekuat se Parlamenti shqiptar, ku në vend të politikës, që përgjithësisht për shkak të cilësisë, aftësisë dhe kulturës së politikanëve më shumë se produkt politik, bëhet humor. Kaq tipike është bërë kjo situatë, saqë shpesh njerëzit i ndjekin seancat e debatin parlamentar, jo aq për të pritur vendime e zgjidhje politike të kontradiktave të shumta ekonomike e sociale që përjeton shoqëria jonë, por me shpresën se të paktën mund të “gajasemi” me batuta, akuza, gjuhë politike specifikisht banale, me gjeste komike e gjuhë trupi skenike të shfrenuar. Duket sikur po krijohet një simbiozë midis estradës si vend i humorit dhe i aktorëve profesionistë me deputetët dhe sallën e Parlamentit, si një “alterego” për humorin e zi parlamentar.

Madje, janë disa personazhe të botës politike, që me “talentin” e tyre ekstra parlamentar, janë bërë tejet “kompetitivë” dhe qëndrojnë fare afër profesionit të aktorit komik. Një aliazh i panatyrshëm, një degradim i rolit, misionit dhe funksionit të vërtetë të politikanit profesionist. Nganjëherë të duket se përdorimi i “humorit parlamentar”, shërben jo vetëm si modus viventi, por dhe si mënyrë për të kompensuar “deficitin” e aftësive, kulturës dhe gjuhës politike. Humori parlamentar është krejt pa vend, ushtrohet në vendin e gabuar dhe nga aktorë me “humor të panatyrshëm”.


Kjo përzierje e “gjinisë dhe zhanreve” midis seriozitetit dhe përgjegjësisë publike të politikës dhe lehtësisë së humorit që luhet në ekranet televizive dhe skenat specifike të humorit profesionist apo diletant, nuk tregon shëndetin apo mirëqenin e politikës, por paaftësinë, mungesën e përgjegjësisë, vanitetin dhe pasigurinë e politikanit, i cili në këtë vend e luan “rolin politik” si t’i dojë kokrra e qejfit, pa pasur as skrupuj dinjiteti, as përgjegjësi morale para publikut dhe elektoratit që e ka zgjedhur. Kjo tendencë ambiguiteti nuk është as kalimtare e as rastësore. U bë një kohë e gjatë që politika parlamentare, jo vetëm ka dalë nga “gjinia dhe përgjegjësia” publike, por disa politikanë kanë krijuar bindjen se kanë “humor të këndshëm” dhe në këtë aspekt kanë bindjen se kanë aftësi “specifike” për të konkurruar edhe aktorët e spektaklit.

Nuk është për të qeshur, por për të qarë, që në Shqipëri këto dy botë të jetës, arti dhe politika, deputetët dhe aktorët e humorit kanë filluar të jenë konkretë nga pikëpamja e atraksionit, audiencës dhe afektimit të opinionit publik. Dhe pas “humorit parlamentar” sfumohen apo zbehen ngjarjet, faktet, të vërtetat morale e financiare të artikuluara nga media, publiku. Politika e ka gjetur rrugën e manipulimit të opinionit përmes debateve shterp, akuzave të zbutura si mënyrë efikase për qëllimet e veta, që lidhen gjithnjë me omnipotencën e pushtetit. A mund të themi se është rastësore tendenca, që politikanët janë vënë në garë me “botën e spektaklit”? Politika dhe politikanët shqiptare kanë humbur shumë nga dinjiteti dhe statura standarde e politikanit profesionist, nga vlerat dhe specifika e saj. Shumë herë, dashur apo padashur, është vënë në garë me spektaklet e humorit dhe argëtimit (megjithëse nuk është fare ku rol për politikën).

Personalisht mendoj se në këtë konceptim gati të barabartë të politikës me artin dhe botën e spektaklit, ka një deformim të thelbit të vërtetë të politikës, të staturës së politikanit si aktor themelor i saj, që vjen ose nga konceptimi arkaik dhe semplist i politikës, ose nga aliazhi i pamundur si sinkretim paradoksal i saj me spektaklin dhe aktorët e humorit profesionist. Është e vërtetë ajo që thonë politologët, se në kohën postmoderne shpesh duket se “politika është bërë si kinema”, sepse natyrisht nuk mund të jetë ndryshe, kur të gjithë tashmë jetojmë në këtë shoqëri, në të cilën jemi të integruar, madje të shkrirë të gjithë bashkërisht politikanë, artistë, njerëz të shquar të jetës dhe qytetarët, të gjithë së bashku në “shoqërinë së spektaklit”.

Ndërkaq, politika nuk mund të rrjedhë, nuk mund t’i shmanget procesit gjithëpërfshirës të asaj dukurie universale që në sociologjinë moderne quhet “mediatizim i shoqërisë”. Por parametrat e politikës moderne dhe politikanëve si misionarë të politikës dhe jo gallataxhinj, në politikën bashkëkohore, janë krejt ndryshe nga kjo “kakofoni estradeske” e politikës shqiptare, nga ky konfondim i politikës me manierat jopolitike dhe ekstra-artistike, që shpesh e kanë bërë politikën shqiptare një model sinkretik sui generis, në të cilën qytetari më shumë “shkrihet gazi” nga gallata parlamentare dhe harron se ku është, përballë me politikanin apo me aktorin e estradës, artistin e humorit.

Kjo situatë që zhvillohet në Parlament dhe sidomos në debatet mediatike të politikanëve shqiptarë, mund të themi pa frikë se e pakta është shenjë që tregon standardin e politikës, nivelin e kulturës së politikanëve tanë. Por mbi të gjitha situata nganjëherë agravohet deri në atë shkallë, saqë nuk ke më dyshim për nivelin e ulët të pjekurisë demokratike në përgjithësi të “klasës politike”.

Politika dhe politikanët shqiptarë të duken shpesh sikur janë ende në “fazën foshnjarake”, duke e treguar veten të papjekur politikisht. Shumë prej tyre edhe kulturalisht duken se janë larg kushteve që të plotësojnë standardet e staturës së klasës politike. Nëse kanë ndonjë meritë të veçantë, ajo është vetëm një: na kanë bërë të buzëqeshim, të qeshim dhe nganjëherë nga halli edhe të shqyemi gazit, ngaqë ata e kanë formalizuar me qëllim apo pa e kuptuar veprimtarinë e tyre, duke e “spektakolarizuar” politikën parlamentare me humor, batuta, grimasa e veprime skenike të politikës spektakolare.

Besoj se të gjithë sociologët e spektaklit dhe filozofët e politikës (politologët shqiptarë) janë të shqetësuar me këtë kakofoni, këtë përzierje dhe aliazhim formal të spektaklit dhe politikës, të politikanit me artistin. Sidomos e shëmtuar, ndoshta nga mungesa e kulturës apo imitimi pa elegancë i “politikanëve të Perëndimit”, është bërë mania e politikanëve tanë që përdorin të gjithë mjetet nga gallata verbale deri tek grushtet e hekurta për të “spektakolarizuar politikën” për ta bërë politikën si arenë estrade.

Kjo tendencë e fortë e formalizimit estradesk, e estetizimit të shëmtuar të arenës politike shqiptare, zhveshja e rolit të politikanit nga përgjegjësia dhe thelbi specifik, ngatërrimi i jetës politike me spektaklin e humorit, nuk është në të mirë të natyrës specifike të politikës dhe personalitetit publik të politikanit si aktor i saj. Në politikë ndryshe nga spektakli nuk ka aq shumë rëndësi shfaqja, forma e debatit, intensiteti i dikotomisë dhe larmia e shpifjeve personale reciproke, sa ka thelbi i politikës si veprimtari serioze e lidhur me të “mirën e përgjithshme” të shoqërisë.

Në këtë kontekst, ka rëndësi edhe përmbajtja, esenca, por dhe forma e realizimit dhe vlerat e aktorëve që e luajnë politikën, personaliteti, integriteti moral, aftësitë dhe koherenca qytetare e pjesës së jetës publike dhe private të tyre. Për politikanin besoj se qëllimi kryesor i veprimtarisë, nuk është dhe nuk duhet të jetë vetëm ekspozimi dhe fama. Ato janë dëshira frenetike të natyrshme, të kuptueshme dhe të justifikuara për performancën e artistit. Jurgen Habermas me të drejtë mendon se “ka një tjetër qëllim pjesëmarrja në angazhimin politik…”.

Është e vërtetë që ky trajtim i politikës si “humor” ndodh edhe për një arsye tjetër. Për fat të keq të këtij vendi dhe si fatkeqësi për situatën e shoqërisë akoma nuk e ka sjellë koha që “humori” të kthehet në bumerang për politikanin apo që ndonjëri apo disa prej tyre, të përballen moralisht me publikun, veçanërisht me ligjin, për të kuptuar sesa e vështirë është ta bësh “politikën gallatë” apo të “bësh gallatë me politikën”. Por besoj se gjërat po lëvizin dhe me siguri edhe kjo ditë do të vijë. Sepse klasës politike shqiptare po i bien kreditet e vlerës dhe besimi publik. Kjo situatë vjen nga vetë politikanët, të cilëve përtej humorit të tyre, në thelb është duke u rënë autoriteti dhe “shenjtëria” politike.