Policia për ushtrimin me Amerikën: U angazhuan rreth 790 policë nga njësi të ndryshme

Policia e Kosovës ka njoftuar se ushtrimi i përbashkët në shkallë të gjerë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë është zhvilluar me sukses të plotë, duke vlerësuar gatishmërinë institucionale dhe forcimin e kapaciteteve reaguese në situata të mundshme krizash dhe emergjencash.
Ushtrimi u zhvillua në zonën përreth Ambasadës Amerikane në lagjen Arbëria dhe përfshiu rreth 790 zyrtarë policorë nga njësi të ndryshme. Në kuadër të aktivitetit u testuan procedurat operative, komunikimi, reagimi i shpejtë dhe përdorimi i mjeteve të specializuara të sigurisë, si dhe u simulua një sërë skenarësh të menaxhimit të krizave.
Policia e Kosovës theksoi se ushtrimi është trajtuar me seriozitet të lartë profesional, ndërsa bashkëveprimi mes njësive policore dhe personelit të sigurisë së Ambasadës Amerikane u demonstrua si tejet efikas.
Falë profesionalizmit të ekipeve të angazhuara dhe bashkëpunimit të qytetarëve, ushtrimi është realizuar pa incidente. PK vlerësoi lartë mirëkuptimin e pjesëmarrësve në trafik, të cilët respektuan devijimet dhe ndërprerjet e përkohshme të lëvizjes gjatë zhvillimit të aktivitetit.
Ky ushtrim, sipas Policisë së Kosovës, dëshmon edhe një herë partneritetin e fuqishëm dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet PK-së, Ambasadës Amerikane dhe institucioneve të tjera të përfshira, me qëllim garantimin e sigurisë për qytetarët, institucionet dhe stafin diplomatik në vend.
Policia deklaroi se mbetet e përkushtuar për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke paralajmëruar vazhdimin e ushtrimeve të ngjashme për rritjen e gatishmërisë ndaj çdo situate emergjente./Telegrafi/












































