Policia sekuestron 1 mijë kilogramë speca në Kamenicë

Policia e Kosovës ka parandaluar një rast të kontrabandës me mallra në fshatin Lisockë të Komunës së Kamenicës, si rezultat i patrullimeve të rregullta të njësive të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare – Lindje.
Sipas njoftimit zyrtar, më 29 gusht është ndaluar një automjet me targa vendore, që drejtohej nga një person i dyshuar – mashkull kosovar.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur në automjet 92 pako me speca, me peshë rreth 1000 kilogramë dhe vlerë tregu të vlerësuar nga 2,500 deri në 3,000 euro.
I dyshuari nuk posedonte dokumentacion të vlefshëm për mallrat, ndërsa me urdhër të prokurorit kujdestar është iniciuar rasti.
Mallrat janë konfiskuar dhe janë dorëzuar në pikën doganore përkatëse për procedura të mëtejshme ligjore.
Policia e Kosovës ka theksuar se do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në luftimin e të gjitha formave të krimit, përfshirë kontrabandën me mallra, duke falënderuar njëkohësisht qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm./Telegrafi/

















































