Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Gjakovë, ka zhvilluar një aksion të suksesshëm antidrogë që ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme narkotikësh.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është ndërmarrë pas pranimit të informacioneve operative që një person i dyshuar mashkull, shtetas i Kosovës, ishte i përfshirë në veprimtari të kundërligjshme që lidhen me blerjen dhe shitjen e substancave narkotike.


"Me urdhër verbal për kontroll, dhe në bashkëpunim me stacionin policor në Gjakovë, është kryer kontroll në pronën e të dyshuarit, ku janë sekuestruar: 5 kilogramë e 43 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, 40 euro para të gatshme dhe 1 telefon mobil", thuhet në njoftimin e policisë.

Pas konsultimit me prokurorin kompetent, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Personi i dyshuar është ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë. /Telegrafi/