Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit, i njohur si Shemi, vokalisti i grupit legjendar “Ilirët”, i cili ndërroi jetë në moshën 64-vjeçare.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, ka konfirmuar për Telegrafin se lajmi për rastin është pranuar sot rreth orës 15:00.


Ai tha se informacioni kishte të bënte me një person pa shenja jete në një banesë në rrugën UÇK në Prishtinë.

Shemi nga "Ilirët"

Sapo morën njoftimin, policia ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Atje, ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, duke konfirmuar se nuk kishte shenja jete.

Pllana theksoi se ngjarja po trajtohet në koordinim me prokurorin e shtetit dhe po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme policore për të sqaruar rrethanat e vdekjes.

Krasniqi do të mbahet mend për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikën shqiptare, sidomos për rolin e tij si vokalist i grupit “Ilirët”, me të cilin solli dhjetëra këngë të paharrueshme që shoqëruan breza të tërë.

Hitet e tij, si “Xhamadani vija vija”, mbeten pjesë e trashëgimisë muzikore shqiptare.

Vdekja e tij ka shkaktuar tronditje tek kolegët, fansat dhe gjithë komuniteti i muzikës. /Telegrafi/