Një operacion policor i zhvilluar në kryeqytet ka çuar në arrestimin e një personi të dyshuar për posedim dhe shpërndarje të substancave narkotike.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës, rreth orës 20:10, njësitë policore kanë arrestuar një të dyshuar mashkull, shtetas të Republikës së Kosovës, ndaj të cilit kishte urdhërarrest të lëshuar nga gjykata, përcjell Telegrafi.


Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij dhe në oborrin e ndërtesës, policia ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme narkotikësh dhe mjete që dyshohet se janë përdorur për aktivitetin e shpërndarjes.

Në total, janë sekuestruar 1.279,5 gramë marihuanë, 41,3 gramë kokainë, një peshore digjitale, rreth 4 mijë qese të zbrazëta që shërbejnë për paketimin e lëndëve narkotike, si dhe 6.725,5 euro para të gatshme, dy telefona mobil dhe një llaptop.

I dyshuari është ndaluar menjëherë dhe pas përfundimit të procedurave fillestare është dërguar në vuajtje të dënimit, në bazë të vendimit të gjykatës.

Policia e Kosovës ka theksuar se veprimet e tilla janë pjesë e angazhimeve të vazhdueshme për luftimin e shpërndarjes së narkotikëve dhe mbajtjen e sigurisë publike në vend. /Telegrafi/