Policia gjen armë me leje te shtëpia e Arianit Sllamnikut

Qytetari nga Gjilani, Arianit Sllamniku, është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, pasi dyshohet se u ofronte fëmijëve me autizëm “terapi” me pretendimin se i shëronte, në vlerë mijëra euro.
Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit në pronat e Sllamnikut janë sekuestruar dy armë zjarri të gjata dhe dy të shkurtra (të gjitha me leje), municion, disa karikatorë, medikamente të ndryshme, libra protokolli dhe pajisje elektronike, përfshirë kompjuterë, telefona dhe microçipa.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka bërë thirrje për qytetarët që kanë pranuar shërbime shëndetësore ose konsulta nga Sllamniku të paraqiten për intervistim, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të rastit.
“Në kuadër të hetimeve, ftojmë të gjithë qytetarët që kanë përdorur ndonjë terapi apo medikament nga personi në fjalë dhe që konsiderojnë se janë dëmtuar, qoftë materialisht apo shëndetësisht, të paraqiten në ambientet e Njësisë së Hetimeve Rajonale në Gjilan”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Hetimet janë në vazhdim dhe policia paralajmëron marrjen e masave të mëtejshme sipas zhvillimeve./Telegrafi.



















































