I dyshuari për vrasjen trefishtë në Gjilan me mbi 30 vepra penale në të kaluarën

Gjilani është tronditur sot nga një vrasje e trefishtë që ka ndodhur në një kafiteri të qytetit. Policia e Kosovës ka shpallur në kërkim tre persona të dyshuar për këtë ngjarje të rëndë – Mefail Shkodra dhe djemtë e tij, Edonis e Engjull Shkodra.


Drejtori rajonal i Policisë në Gjilan, Agron Rukiqi, tha në një konferencë për media se një person tjetër është arrestuar në vendngjarje dhe po hetohet për ndërlidhje me rastin.

Ndërkohë, për tre të kërkuarit është bërë kërkesë për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar të gjitha pikat kufitare.

“Tre persona janë shpallur në kërkim policor, dhe është bërë kërkesa për bashkëpunim ndërkombëtar dhe janë njoftuar pikat kufitare. Personi i katërt është arrestuar në vend të ngjarjes pasi janë duke u hetuar të gjitha veprimet nëse i njëjti mund të ketë ndërlidhje me këtë rast”.

Rukiqi, ka bërë të ditur se i dyshuari për vrasjen e trefishtë që ndodhi sot në Gjilan, Mefail Shkodra, ka precedent penal, ku në total i ka 31 raste.

Rukiqi tha se për veprën penale “sulm”, Mefail Shkodra, i ka pesë raste, për “prishje e rendit dhe qetësisë publike” dy raste”, për “fajde” tri raste, për “mashtrim” një rast, për “kërcënim” tri raste, për “shantazh” e ka një rast, për “detyrim” i ka dy raste, për “pjesëmarrje apo organizim të grupit kriminal” e ka një rast dhe ka kundërvajtje në komunikacion.

“Për të gjitha rastet janë ndërmarrë veprimet nga ana e policisë dhe janë ngrit kallëzimet penale dhe rastet janë shpërfill tutje. Ne si polici konsiderojmë që e kemi kryer punën tonë”.

“Por, ju sigurojmë që Policia e Kosovës do t’i ndërmerr të gjitha veprimet që personat që janë në arrati të sillen para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar”, tha Rukqi

Derisa, prokurori i rastit, Isuf Sadiku, tha se ende herët për të dalë me qëndrim rreth motiveve.

“Është ende herët të dilet me qëndrim për motivet”.

Institucionet hetimore po vazhdojnë operacionet për kapjen e të dyshuarve./Telegrafi/