Policia e Gjilanit shqipton mbi 1,600 gjoba në trafik, zhvillon edhe aktivitete edukative për nxënësit

Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan ka publikuar raportin javor të aktiviteteve në fushën e trafikut rrugor, për periudhën 3–9 tetor 2025, gjatë së cilës janë shqiptuar gjithsej 1,616 gjoba ndaj kundërvajtësve në komunikacion, përcjell Telegrafi.
Sipas njoftimit, gjatë kësaj periudhe, njësitë e Trafikut Rrugor dhe stacionet policore kanë hetuar:
- 1 aksident me pasoja fatale,
- 11 aksidente me të lënduar, dhe
- 12 aksidente me dëme materiale.
Po ashtu, janë pezulluar 36 leje drejtimi për shoferë që kanë shkelur rregullat e qarkullimit.
Në kuadër të projektit “Siguria e nxënësve dhe familjarizimi i tyre me komunikacion”, policia ka zhvilluar ligjërata edukative në disa shkolla fillore të rajonit të Gjilanit, me synim rritjen e vetëdijes së fëmijëve për rregullat e trafikut dhe sjelljen e sigurt në rrugë.
Policia ka bërë të ditur se aktivitetet parandaluese dhe edukative do të vazhdojnë edhe në javët në vijim, me qëllim rritjen e sigurisë në trafik dhe uljen e numrit të aksidenteve, sidomos atyre ku përfshihen fëmijët. /Telegrafi/


















































