Agjencia AP ka cituar Besim Reçicën, zyrtar i prokurimit nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit, të ketë thënë se "rreth 30 policë hynë në ndërtesën" e ministrisë.

Ndërkohë, më herët Zyra e Informacionit e EULEX-it ka njoftuar se “Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës” dhe se kjo është “pjesë e vazhdës së hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë (PSRK)”.


Evropa e Lirë citon ministri e Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, të ketë thënë se nuk ka marrë asnjë informatë të drejtpërdrejtë në lidhje me bastisjet, të cilat EULEX-i po u bën lokacioneve të ndryshme në Prishtinë.

“Nuk kemi direkt informata. Natyrisht se neve na informon shtylla e hetimeve aq sa duhet të na informoje që të mos dëmtohet. Mirëpo, edhe një herë e përmend, kemi insistuar që nëse kanë argumente, koha është për të vepruar, jo vetëm të mblidhen fakte, por të arrestohen edhe krim, edhe korrupsion edhe të gjitha dukuritë tjera që janë dhe që janë grumbulluar”, tha Rexhepi, pas një takimi me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek.

Ndërsa Koha Net njofton se Policia e EULEX-it ka bastisur edhe prona të familjes së kreut të kësaj ministrie, Fatmir Limaj. Sipas burimeve të këtij portali, Policia e EULEX-it ka bastisur në qendër të Prishtinës banesën në të cilën jeton vëllai i Fatmir Limajt, Florim Limaj.

Sipas të njëjtave burime, forca të shumta të njësive speciale të Policisë së EULEX-it për rreth një orë kanë bllokuar kompleksin e banesave tek kinemaja ABC, ku jeton familja Limaj. Sipas këtyre burimeve, pretekst i bastisjes është dyshimi se ministri Limaj është i përfshirë në afera korruptive me rastin e disa aktiviteteve të prokurimit. Po për këtë shkak, burimet theksojnë se janë bastisur edhe tri kompani përfituese të tenderëve të kësaj ministrie.

Limaj: Do të vazhdoj punën

Në një konferencë të jashtëzakonshme për media është prononcuar edhe ministri i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, i cili ka konfirmuar se janë bastisur zyrat e MTPT-së dhe shtëpia ku jeton ai.

Limaj është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë për t’i ndihmuar hetuesisë, siç tha për të lehtësuar punën e tyre. Ai tha se do të vazhdojë punën e tij si deri më tani drejt realizimit të projekteve të filluara.
/Telegrafi&Agjencitë/